Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
David Brooks/ The New York Times
Në kolegj isha socialist. Kam lexuar revista si The Nation dhe botime të vjetra të The New Masses. Kam ëndërruar të jem Odets Clifford-i tjetër, një dramaturg majtist, i cili gjithnjë mundohej të ngrinte vetëdijen e klasës proletare. Nëse shkoni në YouTube dhe kërkoni “David Brooks Milton Friedman" mund të shihni një 22-vjeçar socialist, që jam unë, tek debaton me ekonomistin e madh. Unë jam ai flokëshkurrja me syze gjigande të viteve '80, që duket sikur i janë marrë hua vëzhguesi hënor Palomar.
Versioni më i mirë i socializmit përkufizohet nga fraza e Michael Walzer, "ajo që prek të gjithë duhet të vendoset nga të gjithë."
Sipërmarrja e madhe ekonomike duhet të jetë pronë e përbashkët e të gjithëve. Vendimet duhet të bazohen në atë që u jep përfitime të gjithëve, dhe jo në maksimizimin e fitimeve.
Kjo nuk është ajo çka flasin "socialistët demokratikë" si Bernie Sanders, por unë e kuptoj se pse disa nga shqetësimet e tyre socialiste janë popullore. Pse duhet të jetojmë me një varfëri dhe pabarazi të tillë? Pse nuk mund t'i vendosim njerëzit mbi fitimet? Cila është jeta më e mirë, në shoqërinë më të drejtë?
Socializmi është feja më bindëse sekulare e të gjitha kohërave. Të jep një ideal egalitarian për të cilin të sakrifikohesh dhe të jetosh.
Simpatitë e mia socialiste nuk mbijetuan shumë pasi u bëra gazetar. Shpejt vërejta që zyrtarët e qeverisë, që mbuloja, nuk ishin të aftë të planifikonin shoqërinë që shpresonin të krijonin. Jo se ishin të këqij ose budallenj. Bota është thjesht shumë e ndërlikuar.
Kam kuptuar se kapitalizmi është me të vërtetë i mirë për të bërë një gjë në të cilën socializmi është me të vërtetë i keq: krijimi i një procesi mësimi për të ndihmuar njerëzit për të kuptuar gjërat. Nëse doni të drejtoni një kompani të makinave me qira, kapitalizmi ka një radhë shenjash të tregut, të çmimeve dhe të të dhënave (feedback loops) që të tregojnë se çfarë lloj makinash duan njerëzit, ku të vendosësh pikat e tua, sa makina të porosisësh. Ka një proces të shtyrë nga fitimi për t'iu motivuar të mësoni dhe përtëriheni çdo ditë.
Ekonomitë e planifikuara socialiste - pronësia e përbashkët e mjeteve të prodhimit - ndërhyjnë te çmimet dhe sinjalet e tjera të tregut në një milion mënyra. Ato shtypin ose eliminojnë motivet e fitimit, që i shtyjnë njerëzit të mësojnë dhe përmirësohen.
Nuk ka rëndësi sa të mëdhenj janë kompjuterët tuaj, socialisti nuk mund të mbledhë kurrë të gjitha të dhënat përkatëse, nuk mund të ndërtojë kurrë feedback loops-et e duhura. Shteti nuk mund të shohë as faktorët lokalë, të çrregullt, të nxitur nga konteksti që mund të kenë efekte eksponenciale. Shteti nuk mund të parashikojë dëshirat e njerëzve, të cilat ndonjëherë ndryshojnë me një feksje. Kapitalizmi krijon një sistem mësimi të pashtershëm. Socializmi, jo.
Llojet e njohurive që prodhon kapitalizmi, shpesh nuk janë të thella, për shembull si të krijoni kufjet më të mira. Por kjo lloj njohurie prodhon pasuri të mëdha. Standardet e jetesës njerëzore ishin thuajse të rrafshëta gjatë gjithë historinë njerëzore, derisa mbërriti kapitalizmi. Që atëherë, numri i mallrave dhe shërbimeve në dispozicion të njerëzve të zakonshëm është rritur deri në 10,000 përqind.
Nëse keni jetuar njëfarë kohe, duhet ta keni vënë re se kapitalizmi ka sjellë uljen më të madhe të varfërisë në historinë njerëzore. Në1981, 42 përqind e botës jetonte në varfëri ekstreme. Tani, është rreth 10 përqind. Më shumë se një miliard njerëz i kanë shpëtuar varfërisë.
Ju mund ta keni vënë re se vendet që krijuan reforma në treg, si Koreja e Jugut dhe Kina e Deng Xiaopingut, priret të bëhen më të pasura dhe më krenare.
Vendet që lëvizën drejt socializmit - Britania në vitet 1970, Venezuela së fundmi - priren të bëhen më të varfëra dhe më të mjerueshme.
Ju e keni vënë re mjedisi është shumë më i mirë në vendet kapitaliste sesa në ekonomitë e planifikuara. PBB-ja amerikane është më shumë se dyfishuar që nga viti 1970, por konsumi i energjisë është rritur vetëm në mënyrë modeste. Emëtimet e karbonit për frymë të Amerikës shënuan një nivel të ulët 67-vjeçar në 2017. Degradimet më të mëdha mjedisore janë kryer nga sisteme të planifikuara si i vjetri Bashkim Sovjetik dhe Kina komuniste.
Instituti Fraser është një think tank i tregut të lirë që rendit kombet sipas gjërave që think tanket e tregjeve të lira pëlqejnë si: më pak rregullime, tregtia e lirë, sigurimi i të drejtave pronësore. Ekonomitë më të lira në botë janë vende si Hong Kongu, ShBA, Kanada, Irlanda, Letonia, Danimarka, Mauritiusi, Malta dhe Finlanda. Kombet në majën e kuartilit për lirinë ekonomike kanë një mesatare PBB për frymë prej 36,770 dollarë. Për ata në fund të kuartilit është 6,140 dollarë. Njerëzit në ekonomitë e lira kanë një jetëgjatësi prej 79.4 vjet. Ata në ekonomitë e planifikuara 65.2 vjet.
Gjatë shekullit të kaluar, ekonomitë e planifikuara kanë prodhuar një sasi të madhe varfërie dhe pamjaftueshmërie. Më e keqja është ajo që ndodh kur elitat politike mësojnë se çfarë mund të bësh me ato mungesa. Ata e kthejnë mungesën në korrupsion. Kur gjërat janë të pakta, duhet të korruptosh zyrtarët e qeverisë për t'i marrë ato. Pa kaluar shumë të gjithë po japin ryshfet. Qytetarët shpejt kuptojnë se i gjithë sistemi është një mashtrim. Socializmi prodhon pabarazi ekonomike dhe politike pasi pushtetarët shndërrohen në gangsterë. Një sistem që fillon në idealizëm të lartë përfundon në korrupsion, pandershmëri, shtypje dhe mosbesim.
I mësova shpejt sëmundjet e socializmit ... dhe me ngadalë u bëra Whig (liberal).
Heroi im i parë ekonomik është Alexander Hamilton. Ai erdhi në Amerikë me pothuajse asgjë dhe gjeti një ekonomi të mbizotëruar nga oligarkët e pasur të tokave si Thomas Jefferson. Ai e kuptoi që zgjidhja ishte që të gjithë të bëheshin kapitalistë. Ai krijoi tregjet e kreditit në mënyrë që kapitali të ishte i rrjedhshëm dhe më shumë njerëz të kishin akses në investime.
Heroi im i radhës është Abraham Lincoln. Ai u rrit i varfër dhe nisi karrierën e tij si Whig. Ai mbajti më shumë fjalime për sistemet bankare dhe projektet e infrastrukturës sesa mbi skllavërinë. Kjo për shkak se ai dëshironte të përhapte kapitalin dhe të vajiste rrotat e tregtisë në mënyrë që djem dhe vajza të varfër si ai të mund të prosperonin. Ai ndihmoi në krijimin e kolegjeve mbi toka të falura shtetërore në mënyrë që më shumë njerëz të kishin trajnime për të konkuruar si kapitalistë.
Një tjetër figurë e madhe amerikane e traditës Whig është Theodore Roosevelt. Ai e donte shumë dinamizmin që kapitalizmi ngjall dhe e dinte se, ndonjëherë duhen kufizuar korporatat gjigande në mënyrë që miliona kapitalistë të vegjël të mund të konkurrojnë.
Të gjithë këta udhëheqës e kuptuan se përgjigjja për problemet e kapitalizmit është kapitalizëm më i madh dhe më i drejtë.
Sot, pjesë të sistemit tonë kapitalist në Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të mirë. Rritja është dukshëm e qëndrueshme, inflacioni është i ulët, punësimi është i lartë, pagat për amerikanët më të varfër po rriten dy herë më shpejt sesa për ata me paga të larta.
Por kapitalizmi, si të gjitha sistemet njerëzore, është gjithmonë i pabalancuar në një mënyrë ose në një tjetër. Gjatë gjeneratës së fundit, kapitalizmi ka prodhuar uljen më të madhe në pabarazinë globale të të ardhurave në histori. Negativja është se punëtorët me aftësi të ulëta në ShBA tani po konkurrojnë me punëtorët në Vietnam, Indi dhe Malajzi. Ulja e pabarazisë midis kombeve ka çuar në rritjen e pabarazisë brenda kombeve të pasura, si Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu, nivelet e arsimimit nuk e kanë mbajtur ritmin e teknologjisë. Më shumë njerëz rriten me shkolla joadekuate, familjet të disintegruara dhe lagje të fragmentuara. Ata e kanë më të vështirë të fitojnë aftësi për t'u bërë kapitalistë të mirë. Tregu është mbyllur në mënyrë efektive për ta.
Këto probleme nuk janë shenja se kapitalizmi është prishur. Ato janë shenja që na duhet kapitalizëm më shumë dhe më i mirë. Ne kemi nevojë për një infuzion masiv parash dhe reformash në sistemet tona arsimore, që nga foshnjëria dhe përgjatë jetës. Ndërtimi i kapitalit njerëzor është si ushqimi: është diçka të cilën duhet ta marrësh çdo ditë. Ne kemi nevojë për programe të mirëqenies që, jo vetëm subvencionojnë konsumin e njerëzve të varfër, por gjithashtu subvencionojnë aftësinë e tyre për të prodhuar.
Ne kemi nevojë për kooperativa të punëtorëve, të cilat aftësojnë dhe përfaqësojnë punëtorët në tryezën e bisedimeve. Ne kemi nevojë për subvencione të pagave dhe subvencione të lëvizshmërisë, kështuqë njerëzit të mund të përballojnë lëvizjen drejt oportuniteteve. Ne kemi nevojë për subvencione tatimore për kujdesin shëndetësor, për të bërë më të lehtë për njerëzit që të ndërrojnë vendet e punës. Ne kemi nevojë për një kredit tatimor më të lartë për të ardhurat për t'i dhënë punëtorit të varfër siguri financiare, në mënyrë që ata të mos zhduken mes shkatërrimit krijues.
Ne kemi nevojë për një taksë karboni, për t'i dhënë të gjithëve një nxitje për të zvogëluar emëtimet e karbonit pa pretenduar se e dimë mënyrën më të mirë për ta bërë këtë.
Çdo ide që sapo përmenda vjen nga Instituti Amerikan i Sipërmarrjes (American Enterprise Institutte), Brookings ose ndonjë institucion tjetër që përçmohen si pjesë e elitave neoliberale. Të gjitha këto ide do ta bënin kapitalizmin të funksiononte më mirë.
Një gabim të madh që bëme ne të anës konservatore ishte që menduam se, gjithçka që e bën qeverinë më të madhe gjithashtu e bën tregu më pak dinamik. Ne nuk arritëm të bëjmë dallimin midis shtetit mbështetës dhe shtetit rregullator. Shteti mbështetës bën kapitalistë më të mirë dhe më të sigurt. Kombet skandinave kanë shtete të mirëqenies shumë mbështetës. Ata gjithashtu kanë tregje shumë të lira. E vetmja arsye pse ata mund të përballojnë të kenë shtete bujare të mirëqenies është se gjithashtu kanë tregje shumë të lira.
Nuk e di nëse modeli i mirëqenies skandinave do të funksiononte në kombe aq të mëdha dhe diverse si SHBA, por suksesi i tij tregon disa të vërteta:
Shteti ushqen prosperitetin kur i ndihmon njerëzit të bëhen kapitalistë. Shteti shkakton nivele të jashtëzakonshme mjerimi kur futet shumë brenda proceseve vendimmarrëse të kapitalistëve. Krijon mjerim të madh kur shkatërron sistemin motivues që drejton kapitalizmin. Shkakton mjerim të madh kur ndërhyn në sistemin e mësimit të pashtershëm që bëjnë të mundur mekanizmat e tregut.
Kapitalizmi nuk është fe. Ai nuk do të shpëtojë shpirtin tuaj ose do të plotësojë dëshirat e zemrës suaj. Por do t'i ngjallë energjitë tuaja, do t'iua ofrojë horizontet, do t'ju fusë në një udhëtim jete për të njohur, përmirësuar, guxuar dhe guxuar përsëri.
Të dielën e kaluar ndoqa një meshë me një mike të re, në një kishë që është bërë shpejt shtëpi për të. Kishte disa qindra besimtarë. Nëntëdhjetë për qind ishin nën 30. Nëntëdhjetë për qind ishin hispanikë. Mesha ishte dy orë gëzimi dhe ngazëllimi - shkopinj farfuritës dhe tullumbace.
Ata nuk po adhuronin kapitalizmin, por diçka më të lartë. Megjithatë punët e jetës së tyre u futën në pamje. "Shikoni sa kemi ecur! Shikoni sa kemi ecur!, thonin njerëz të ndryshëm. Pashë historinë e emigracionit të familjes time hebraike, duke u ripërtërirë mu para meje. Ne, ashtu si ata, e filluam si kasapë dhe rrobaqepës, kapitalistë të vetëpunësuar, sepse është e vështirë për emigrantët të punojnë për korporatat. Shpërthimi i mundësive që provoi familja ime dhe ndoshta edhe juaja, po ndodh ende, bëhet e mundur nga torta përherë në rritje që ofron kapitalizmi.
Tema atë ditë ishte shpresa, shpresa transhendente dhe shpresa e momentit. "Lëvizni dhe mrekullitë ndodhin!" këndoi një grua e re hispanike.
Çdo vit, qindra miliona njerëz marshojnë me këmbët e tyre drejt kapitalizmit.
Sot, debati i vërtetë nuk është mes kapitalizmit dhe socializmit. Ne e provuam atë eksperiment shoqëror për 100 vjet dhe kapitalizmi fitoi. Eshtë mes një versioni të kapitalizmit demokratik, që gjendet në ShBA, Kanada dhe Danimarkë, dhe formave të kapitalizmit autoritar, të gjendura në Kinë dhe Rusi. Detyra jonë është ta bëjmë atë versionin më të përfshirës dhe më të drejtë të kapitalizmit që mund të ekzistojë.
Përkthimi: Politiko.al