Flash News
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Makina përplas për vdekje këmbësorin në Fier, shoqërohet shoferi 20-vjeçar
Miratohet raporti, Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës
Gjekmarkaj letër Gjykatës së Apelit: Kthejini legalitetin Partisë Demokratike dhe opozitës
Diplomacia ekonomike, Ditmir Bushati: Do transformojmë ambasadat
Nëse tradicionalisht fokusi i diplomacisë ishte në administrimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, sot diplomacia është shndërruar në një instrument që promovon në veçanti interesat ekonomike të vendit, deklaroi të enjten ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.
Në fjalën e tij në konferencën “Sfidat për Rritjen e Investimeve dhe Aftësisë Konkurruese të Ekonomisë Shqiptare”, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Bushati theksoi se kjo vjen si rrjedhojë e hapjes së veprimtarive të sipërmarrësve dhe angazhimeve shumëpalëshe.
“Një diplomaci efikase ekonomike nënkupton promovimin e produkteve dhe shërbimeve shqiptare në botë duke influencuar politikat e investimeve tregtare të shteteve partnere dhe kompanive të huaja, si dhe influencim të enteve rregullatore ndërkombëtare”, nënvizoi Bushati.
Ministri Bushati u shpreh se për një ekonomi diplomatike të suksesshme dhe efektive në funksion të rritjes së volumeve tregtare dhe investimeve në vend , aksioni ynë është i përqëndruar në avancimin e interesave ekonomike të vendit, promovimin e fushave prioritare , nxitjen dhe negocimin e marrëveshjeve dy palëshe për plotësimin e kuadrit ligjor, si dhe vendosjen e kontakteve me partnerë të ndryshëm dhe harmonizimin e interesave sektoriale të tyre me prioritetet kombëtare”.
Në këtë kontekst, vijoi ai, jemi përpjekur që të adoptojmë dhe zhvillojmë një diplomaci proaktive duke përdorur instrumente si misionet dhe përfaqësitë tona jashtë vendit, organizata ndërkombëtare dhe forumet e tjera ekonomike , grupet e biznesit, dhomat e tregtisë, rrjetin e konsujve të nderit dhe diasporën tonë.
Bushati: Përfaqësitë diplomatike, pika kontakti për zhvillimin ekonomik
Kryediplomati Bushati tha se kryeministri Rama me të drejtë ka kërkuar që të ridimensionojmë konceptin e diplomacisë ekonomike për t’i dhënë asaj një rol parësor në mbështetje të ekonomisë dhe sipërmarrjes.
“Kjo është arsyeja që ne po punojmë që përfaqësitë tona diplomatike të transformohen edhe si pika kontakti për zhvillimin ekonomik , jo vetëm në kuadër të tërheqjes së investimeve të huaja , por edhe në kuadër të promovimit të eksporteve shqiptare, pra vitrina të markës “Made in Albania”, si dhe i promovuese të Shqipërisë turistike dhe kulturore, ashtu siç edhe tregoi kjo verë elektorale ka imazhin që po ndryshon shumë shpejt”, theksoi ministri Bushati.
Ai bëri të ditur se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë po punojnë për të krijuar një zinxhir të qartë të kontakteve të bizneseve të vendeve të huaja e deri në implementimin e investimeve në terren në Shqipëri, për të krijuar mundësisht një procedurë sa më të qartë, sa më transparente duke sjellë investitorët dhe investimet në funksion të nevojave të ekonomisë.
Por, shtoi ai, në këtë drejtim ambasadorët më të mirë të vendit tonë jeni ju sipërmarrësit , jeni shembulli më mirë që mund të tregohet dhe i suksesit të zbatimit të projekteve tuaja.