“Diplomatë delenxhi e parazitë”/ Kryeministri Rama u jep medalje katër ambasadorëve pas dështimit me negociatat

“Si ka mundësi që keni qenë kaq të avashtë, ose për ta thënë shqip, kaq të leshtë… Unë nuk di ta justifikoj këtë boshllëk të trashëguar për kaq shumë vite, por siç e thashë edhe në 4 vitet që sapo mbyllim, ne kemi bërë një vrimë në ujë. Ende kemi diplomatë delenxhi e parazitë për të cilët ju bëj thirrje të ngrini zërin në komunikimet tuaja me lidershipin politik të Ministrisë së Jashtme.”

Ishin këto fjalët e kryeministrit Edi Rama për ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë në një takim të zhvilluar në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në gusht të 2017-ës. Rama u kërkoi ambasadorëve që të ndërtonin platforma dhe mekanizma për të prezantuar një vend që ndryshon me shpejtësi çdo ditë dhe çdo javë.

Por gati një vit më vonë, ky vend nuk ka arritur të marrë ende një datë për hapjen e negociatave, ndërkohë që kryeministri Rama ka zgjedhur të përdorë për interesin e tij politik sërish të njëjtët persona që i sulmoi ashpër në gusht të 2017-ës.

Në po të njëjtën godinë, Rama i dha sot medaljen e mirënjohjes katër ambasadorëve shqiptarë që shërbejnë në Holandë, Francë, Gjermani dhe në Bashkimim Europian. Dy prej këtyre shteteve, Franca dhe Holanda, vendosën veto që Shqipërisë të mos i hapeshin negociatat, ndërsa Gjermania i bashkëngjiti një listë të gjatë me kushte të reja.

“Dua t’i kushtoj një falendrim të veçantë katër personave që na përfaqësojnë dhe që realisht kanë qenë kyç në gjithë përpjekjen diplomatike të jashtëzakonshme që kemi bërë në këto muaj. Besoj që është e drejtë që nga kjo histori, ku realisht po të mblidheshim bashkë me Ditmirin dhe katër personat të shkruanim një libër “Europa”, do të ishte një mrekulli nga pikëpamja e gjithë episodeve dhe kurioziteteve që mund të lexoheshin për atë që ndodh në korridoret e Europës për zgjerimin. U takon të katërve që nga kjo periudhë e papërsëritshme e karrierës së tyre diplomatike, të kenë një kujtim nga unë si kryeministër, medaljen e mirënjohjes së kryeministrit”, u shpreh Rama.

Katër ambasadorët Dritan Tola, Artur Kuko, Adia Sakiqi dhe Suela Janina pranuan sot medaljen, bazuar në pretendimin e kryeministrit Edi Rama se Shqipërisë i janë hapur negociatat, ndonëse vendimi i Bashkimit Europian ishte i qartë dhe i prerë, nuk ka negociata deri në plotësimin e kushteve të vendosura.

Deutsche Welle: Që të përmbushen standartet e BE duhet që në Shqipëri të ndryshojnë disa gjëra