Flash News

KRYESORE

Diplomati shqiptar për armatosjen e Serbisë: Kujdes nga “ahengjet ballkaniko-perëndimore”; kërkon të bëhet gardiani i rajonit

Diplomati shqiptar për armatosjen e Serbisë: Kujdes nga

Diplomati shqiptar, Shaban Murati ka analizuar armatosjen e Serbisë nga Rusia dhe reagimin që po vjen nga Uashingtoni dhe jo nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Murati thekson në shkrimin për “Gazetën Shqiptare” se loja e serbëve me neutralitetin ushtarak ka përfunduar me marrëveshjet që kanë bërë me Moskën për blerjen e raketave S-300 dhe avionëve luftarakë.

“Gara serbe e armatimeve është një histeri luftënxitëse, e cila duhet të zgjojë ca nuhatje strategjike në zyrat shtetërore edhe diplomatike në Ballkanin Perëndimor. I ashtuquajturi neutralitet ushtarak i Serbisë është varrosur me kohë në kazermat me armatime ruse. Një shtet neutral nuk armatoset me raketa ruse dhe ngre makinën më të madhe ushtarake në rajon për “neutralitetin”. Serbia është i vetmi shtet ballkanik që i ka dhënë Rusisë një bazë ushtarake në Nish dhe po i jep edhe një bazë tjetër ajrore në Vojvodinë”, shkruan Murati.

Duke iu referuar Procesit të Berlinit, diplomati kërkon që të tregohet kujdes nga “ahengjet ballkaniko-perëndimore” ku propagandohet nga serbët bashkëpunimi dhe mirëkuptimi në rajon. Ai shprehet se Serbia “po armatoset që të bëhet fuqia më e madhe ushtarake në Ballkan, që të jetë në gjendje jo vetëm të ushtrojë presion dhe shantazh ushtarak mbi shtetet ballkanike, por edhe që të marrë një rol gardiani ushtarak për të mundur ta mbajë Ballkanin nën kontroll”.

“Serbia nuk e ka seriozisht as integrimin në BE. Në botën e sotme të komplikuar të përplasjeve gjeopolitike në rritje, parametri ushtarak është ndër kryesorët. Është naive të mendohet se me tolerancën ndaj armatosjes ruse të Serbisë, Beogradi do të bëhet më shumë europeist dhe do të afrohet më shumë me BE. Serbinë do ta fitojë, dhe, në fakt, e ka fituar, shteti që çon raketat atje, dhe jo BE që përpiqet të çojë institucionet demokratike apo investimet. Shkalla e rrezikut po rritet dhe nuk duhet harruar se viktima e parë e agresivitetit serb planifikohet të jetë Kosova. Nuk duhet harruar se në doktrinën ushtarake serbe burimet kryesore të kërcënimit janë shpallur kombi shqiptar dhe kombi kroat. SHBA jo vetëm kanë dhënë alarmin, por edhe po marrin masat e nevojshme për çdo të papritur”, shkruan ndër të tjera Shaban Murati.

Të fundit