Flash News

KRYESORE

Diplomati shqiptar tregon kurthin e ngritur nga serbët brenda të cilit ka rënë Behgjet Pacolli

Diplomati shqiptar tregon kurthin e ngritur nga serbët brenda të cilit

Diplomati shqiptar, Shaban Murati ka publikuar një analizë në ‘Gazetën Shqiptare’ për propozimin e ri që po qarkullon në qarqet diplomatike të Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian për gjetjen e një zgjidhje për konfliktin midis dy shteteve.

Pak javë më parë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli deklaroi se “Serbia nuk ka përse të thotë se e njeh Kosovën, por të veprojë në këtë mënyrë”, dhe sipas Muratit ky është kurthi i ngritur nga Beogradi brenda të cilit ka rënë Pacolli.

“Ka indikacione se në drejtim të këtij objektivi ata (serbët) kanë arritur njëfarë suksesi, sepse në disa qarqe qeveritare në Prishtinë ka nisur të qarkullojë teza e habitshme se “Serbia nuk ka përse ta deklarojë se e njeh Kosovën”, çka në një farë kuptimi mund të merret si një sinjal i pranimit indirekt të planit serb...Pikërisht në këtë klimë, pra me afrimin e datës kur kushti i kushteve do të ngrihet në fund të tratativave të pranimit midis BE dhe Serbisë, qeveria serbe harton planin e saj të fshehtë të ofertës për Kosovën që të anëtarësohet në OKB, por të heqë kërkesën e njohjes si shtet nga Serbia. Një marrëveshje mbi këtë pazar, nëse pranohet nga Prishtina, i lejon Serbisë ta heqë kushtin e kushteve të BE me dorën e vetë Kosovës. Dhe pas kësaj, duke qenë anëtare e BE, Serbia jo vetëm do të bëhet shteti i gjashtë i BE, që nuk njeh Kosovën, por do ta bllokojë integrimin e Kosovës në BE. Oferta serbe për Kosovën në OKB pa e njohur Kosovën si shtet është një kurth serb kundër pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Kosovës. Kosova duhet ta ketë të qartë se nga njohja e Serbisë si shtet i pavarur ajo do të shkojë tek anëtarësimi në OKB, por nga anëtarësimi në OKB nuk mund të shkojë dot te njohja e saj prej Serbisë”, shkruan ndër të tjera diplomati shqiptar.

Shaban Murati e pagëzon këtë formulë serbe me emrin “formula ukrainase”, duke iu referuar vitit 1945 kur Ukraina u anëtarësua në OKB, ndonëse askush nuk e njohu si shtet të pavarur, por pjesë të Bashkimit Sovjetik. Sipas Muratit, anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk duhet të kthehet në lojë të Serbisë, por do të jetë Rusia ajo që do t’i kërkojë Perëndimit pazare më të mëdha për të hequr veton ndaj Prishtinës.

“Formula e qeverisë serbe me planin e ri për t’i ofruar Kosovës anëtarësimin në OKB, por pa e njohur atë, është, në fakt, një formulë dinake, që unë do ta quaja “formula ukrainase”. Formula ukrainase është që një entitet bëhet anëtar i OKB, pa u njohur si shtet i pavarur dhe duke pasur statusin e të qenit pjesë e një shteti tjetër. Njësoj siç u bë Ukraina anëtare e OKB në vitin 1945 dhe ishte pjesë e një shteti tjetër, e Bashkimit Sovjetik. Pra, anëtarësia në OKB nuk i dha Ukrainës statusin e shtetit të pavarur dhe as të njohur ndërkombëtarisht si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare. Askush nuk vendosi marrëdhënie diplomatike me Ukrainën deri në vitin 1991, kur pas prishjes së Bashkimit Sovjetik, ajo u bë shtet vërtet i pavarur. Pikërisht këtu qëndron thelbi i dinakërisë bizantine të qeverisë dhe të diplomacisë serbe. Duke i ofruar Kosovës anëtarësimin në OKB, ata jo vetëm nuk e njohin Kosovën si shtet, por sanksionojnë të drejtën ta konsiderojnë pjesë të Serbisë, njësoj si Bashkimi Sovjetik dikur Ukrainën. Anëtarësimin në OKB Kosovës mund t’ia japë Rusia, duke hequr veton si anëtare e KS të OKB, dhe jo Serbia, sepse po desh Rusia, Kosova hyn në OKB edhe pa lejen e Serbisë. Por nuk desh Rusia, Kosova nuk hyn në OKB edhe sikur të dojë Serbia. Pra, Serbia po kërkon të shesë diçka, që në fund të fundit nuk është kompetencë e saj. Nuk besoj se Rusia do të futet në një pazar të vogël ballkanik për sytë e bukur të Serbisë. Po të vijë puna deri futja e Kosovës në OKB, Rusia do t’i kërkojë Perëndimit diçka të madhe mbiballkanike, që ka lidhje me Krimenë, me Abhazinë apo Osetinë e Jugut”, shkruan Murati.

Të fundit