Flash News

OP-ED

Disa mësime për PD nga Brexit, ose si një komb përqafon historinë...

Disa mësime për PD nga Brexit, ose si një komb përqafon

Aki Kraja

Në këtë fund gushti, pata kënaqësinë e veçantë të isha në një vizitë studimore në Londër me ftesë të Partisë Konservatore britanike për të shkëmbyer me partnerët tanë atje, dhe për të marrë pjesë në një forum politik krejt ndryshe nën emrin e “Festivalit të ideve”.

Ndër të tjerë, veçoj takimin me Znj. Carlotta Redi, Drejtoreshën e marrëdhënieve me jashtë të Partisë Konservatore të cilës i shpreha mirënjohjen tonë për mbështetjen që i është ofruar Partisë Demokratike në sjelljen e praktikave më të mira britanike në Shqipëri. Një bashkëpunim mes dy partive simotra që jam i bindur do të vi duke u intensifikuar gjithnjë e më shumë.

Pjesë e një grupi të përbërë nga deputetë dhe drejtues nga parti politike nga mbarë bota, pjesëmarrja në “Festivalin e ideve” ishte një moment krejt i veçantë i kësaj vizite.

Duke ndjekur një format ndryshe të “Akademisë Politike” - me një publik të përbërë nga sipërmarrës, gazetarë, politikanë, universitarë, të rinj e simpatizantë... - folësit ishin ministra, deputetë e aktivistë nga të gjitha fushat por dhe nga të gjitha krahët e politikës angleze. Dhe pse nisma është themeluar nga një deputet konservator, kjo nuk e pengonte aspak dialogun ndër-partiak për tema me interes madhor kombëtar si mbrojtja, shëndetësia, infrastruktura e arsimi...

Por kryefjala e pothuajse të gjithë prezantimeve ishte sigurisht “Brexit”, dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Përtej faktit se kontekstet historiko-ekonomike janë të ndryshme, dhe se aspiratat euro-atlantike të Shqipërisë janë të padiskutueshme, mund të nxirren mësime me shumë vlerë nga aktualiteti britanik.

Referendumi për daljen nga BE dëshmon për kurajon dhe madhështinë e një shteti-komb që ka sensin e historisë. Pa mohuar situatat shpesh here kaotike që kanë ndjekur negociatat mes qeverisë e parlamentit britanik nga njëra anë, dhe Komisionit Europian e vendeve anëtare nga ana tjetër, debati që ka ngjallur “Brexit” dëshmon më së miri forcën e një kombi që arrin të marrë një vendim të vështirë, me kosto të larta, me të panjohura të rrezikshme, por që mbetet gjithmonë besnik ndaj identitetit, historisë dhe interesave të tij.

Nuk është hera e parë që “britanikët” shkëputen nga Europa. Shekuj më parë, vendimi i mbretit Henri të 8-të e nxori ishullin nga “tutela” kontinentale e Vatikanit. Vetë integrimi britanik në BE, nuk ka qenë pa peripeci. Anglia nuk e adoptoi kurrë monedhën e përbashkët. Vetot dhe deklaratat e gjeneralit De Gaulle mbi anëtarësimin e Anglisë në vitet ‘60 përdoren fshehtazi në Bruksel si një kundër-argument i thjeshtëzuar kur nuk ka më hapësira për të negociuar: Londra mbase nuk duhej të ishte përfshirë fare në projektin europian.

Por Londra dhe britanikët, në një ushtrim demokratik të jashtëzakonshëm, zgjodhën të përqafojnë historinë e tyre ishullore, detin, lirinë për të lundruar në ujërat e tregtisë së lirë e të financave ndërkombëtare, ashtu siç me shekuj arritën të ndërtonin perandorinë më të madhe në historinë botërore.

Pavarësisht kësaj, gjatë ndërhyrjeve të shumta në “Festivalin e ideve”, u kuptua qartazi se unanimiteti mbi “Brexit” është ende shumë i brishtë, jo vetëm mes kahëve politikë por dhe vetë brenda partisë Konservatore. Të ndarë në ‘Brexiters’, ‘remainers’, ‘hard-liners’... të gjitha rrymat arritën të përfaqësoheshin në çdo debat, duke dialoguar e dëshmuar një tolerancë demokratike të jashtëzakonshme.

Çfarë është tjetër pluralizmi politik përpos se mundësia që të pranosh mendimin ndryshe jo vetëm nga kundërshtari politik, por dhe nga vetë anëtarët e deputetët tu?

Gjatë takimeve u theksua gjithashtu disa herë se ndërhyrjet dhe influencat nga jashtë kanë ndikuar në rritjen e tensioneve sociale e politike. Jo vetëm gjatë fushatës së Brexit, por dhe sot e kësaj dite, interesa shtetërore jashtë BE-së investohen masivisht që ky divorc të kalojë sa më keq.

Keq-informimi, radikalizimi dhe ushqimi i panikut, po sjellin pasoja tejet negative e të pamenduara më parë. Një deputete dhe një gazetare angleze janë vrarë; dhjetëra politikanë e analistë janë sulmuar fizikisht; ofendimet, kërcënimet dhe bullizmi në rrjete sociale ka arritur nivele rekord; të shumtë ishin te ftuarit që dëshmuan për kolegë të zgjedhur, asistentë parlamentarë e nëpunës civilë që janë tërhequr nga jeta publike për shkak të radikalizmit që po ndjek procesin e “Brexit”. Anglezët po ndahen në mënyrë të rrezikshme. Në rast vendosjeje të kufirit me Irlandën e veriut, shumë druhen se do të ketë një rikthim të akteve të terrorizmit dhe të IRA-s. Protestat e dhunshme të para disa muajve ishin një paralajmërim në këtë drejtim.

Kur u votua Brexit, askush nuk i kishte marrë me mend këto pasoja. Nga ku pyetja se mos vallë “Brexit” ishte një produkt i një lufte hibride që i kanë shpallur perëndimit, e Anglisë në veçanti? Kjo pyetje nevojitet të shtrohet.

Shqipëria gjithashtu rezulton të jetë e shënjestruar nga këto “ndërhyrje” përçarëse. Para pak javësh, Departamenti i Shtetit Amerikan miratoi një fond prej 1.3 milion dollarësh pikërisht për të identifikuar e penguar “influencat malinje të huaja”, sipas termit të përdorur nga vetë SHBA, në proçeset elektorale të ardhshme në Ballkanin perëndimor.

Nga çështjet globale, në atë të të përditshmes: Brexit simbolizon së fundmi gjithashtu dhe ndjesinë e shumë anglezëve të cilët nuk arritën dot të adaptoheshin ndaj de-industrializimit, hapjes ndaj konkurencës botërore, globalizmit dhe inovacionet teknologjik të viteve të fundit në Britani. Emigrantët, ashtu si kudo në vendet e zhvilluar, shihen si “fajtorë” të papunësisë. Disa deputetë ndanë shqetësimin e shumë votuesëve anglezë teksa kërkojnë ndërprerjen e ndihmës që Anglia u jep vendeve në zhvillim. Krimi i organizuar shihet si një objekt "i huaj". Fatmirësisht, duke refuzuar në bllok ksenofobinë, përgjigja e Partisë Konservatore ndaj këtyre pikëpyetjeve është vetëm një: më shumë tregti, shkëmbime e bashkëpunim ndërkombëtar.

Në përfundim, le të nxjerrim tre mësime të shpejta nga sa më sipër:

Shqipëria dhe BE-ja: Integrimi evropian është një aspiratë shekullore e kombit shqiptar për të cilën duhet të luftojmë deri në fund, sado kohë të marrë. Pa asnjë droje, i quaj “tradhtarë” ata që për disa herë radhazi kanë bërë që të marrim një “JO” në hapjen e negociatave. Por nga ana tjetër, a jemi të qartë se cilat janë sektorët dhe interesat tona “jetike” dhe për të cilat duhet të tregojmë, jo vetëm një kujdes më të madh, por duke synuar të fitojmë më shumë gjatë fazës së negociatave? A ka një faturë integrimi dhe mos vallë politikanët tanë e shohin integrimin europian si një “free-lunch”? A jemi të sigurtë që korrupsioni, çensura e shtypit të lirë, mungesa e konkurrencës në treg... do të zhdukeshin me integrimin europian? A nuk jemi dëshmitarë që Komisioni Europian është pothuajse i “verbër” ndaj kanabizimit, kriminalizimit e autoritarizmit të qeverisë Rama? Po sikur integrimi europian të jetë shkelmi përfundimtar që do të zbrazte Shqipërinë një e herë e përgjithmonë? A do të ishim ne gati që për të zëvendësuar shqiptarët e larguar, të pranonim kuotat europiane me emigrantë nga Lampedusa?

Shtet-kombi sovran: Të qenit sovranist ka një konotacion shpesh herë negativ. Por nga ana tjetër, duhet të rikujtojmë se ekzistenca e shtetit-komb shqiptar është aseti më i madh që kemi. Janë vetëm 193 shtetet anëtare të OKB-së, vetëm 193!, ndërkohë që janë me dhjetëra mijëra grupet etnike, minoritare e kulturore që nuk kanë arritur kurrë të “vetë-vendosen”, që nuk kanë arritur të kenë shtetin e tyre, që nuk kanë ushtrinë e tyre, të drejtat ekonomike, sociale e politike, ashtu si dhe institucionet e tyre sovrane. Të mos harrojmë, që deri para pak vitesh, në ish-Jugosllavi, të flisje shqip, të valvisje flamurin shqiptar, të festoje shqiptarinë tënde, mund të të kushtonte jo vetëm persekutimin apo burgun, por dhe jetën!

E pra, Shqipëria është më shumë se karrigia e çdo politikani. Ata janë të gjithë të zëvendësueshëm. Kemi një fat të jashtëzakonshëm të kemi shtetin, gjuhën e tokën tonë, dhe ata politikanë që abuzojnë me këtë privilegj tonin historik, meritojnë pa asnjë mëdyshje titullin e tradhëtarit! Në momente historike, duhet realisht të tregojmë kurajo, vendosmëri e përgjegjshmëri kombëtare. Dhe sot, përballë autoritarizmit të instaluar prej Edi Ramës, duhet me çdo kusht t’i dalim zot shtet-kombit tonë para se të jetë tepër vonë, ky është një moment historik.

Partitë politike: Jam mëse i ndërgjegjshëm, që për shkak të krizës së thellë morale që po kalon vendi, sot nuk mund të kërkojmë në Shqipëri praktika moderne si ajo e “Festivalit të ideve”, nuk mund të kërkojmë të sillemi si “europianë”, nuk mund të bëjmë “teori”. Por në fakt, besoj krejt të kundërtën. Pikërisht se Shqipëria po rrezikon ri-ngritjen e shtetit-parti komunist, sot, më shumë se kurrë, vendi ynë ka nevojë për dialog, ide, moral e idealizëm politik. Forcës së dhunës policore të Rilindjes duhet t’i përgjigjemi me forcën e idealit politik demokratik. Dhe ideali politik nuk kufizohet vetëm te një “program”. Ideali politik është ëndrra që i bashkon njerëzit; janë burimet e sakrificat që vendosim në tavolinë me qëllim jetësimin e këtij ideali; janë aktet personale që frymëzojnë masat; janë vlerat universale të zbatueshme në çdo situate, në çdo rajon, shtet apo gjuhë; është përkujtimi i historisë për të evituar ripërsëritjen e saj; është kauza afat-gjatë që bashkon çdo forcë përtej kundërshtive të momentit; janë argumentet mbi të cilat ndërtohet çdo propozim transparent; është shembulli që jepet dhe rreth të cilit krijohet ekipi dhe armata politike e nevojshme.

E pra që të jetësosh një “ideal politik” duket qartazi që nevojiten struktura, njerëz e rregulla që vetëm një parti politike moderne mund t’i grupojë. Partia Konservatore britanike është themeluar në 1834 dhe vazhdon ende të jetojë.

Ndaj sot, shpreh besimin se Partia Demokratike po prin ndryshimin e madh të Shqipërisë. Unë besoj se opozita po jep shembullin që kërkohet duke sakrifikuar çdo pushtet me qëllim ndërtimin e një ideali demokratik për mbarë vendin. Ndaj partnerëve të huaj, pavarësisht presioneve të shumta me të cilat jemi përballur, nuk e kemi vendosur kurrë, e ripërsëris kurrë në mëdyshje projeksionin europian të kombit shqiptar. Nuk ka ndodhur kështu me Edi Ramën. Ndërkohë që ai shtetin-komb e sheh si një plaçkë ku kufijtë mund të fshihen si në vizatimet e tij, opozita demokrate kurrë nuk është larguar nga ideali i një të djathte kombëtare dhe europiane. Ajo që po ndodh me Brexit, është një mësim për mbarë Europën, por dhe pa asnjë dyshim, dhe për Shqipërinë e Partinë Demokratike.

Të fundit