Flash News

KRYESORE

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, Totozani: Të mendojmë për punësimin

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, Totozani: Të

Avokati i Popullit, Igli Totozani, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, tha se 1 Maji është një ditë pushimi, por jo një ditë feste.

Sipas tij  1 Maji është një ditë reflektimi për shoqërinë tonë dhe për të gjithë ata vendimarrës të cilët në një mënyrë, apo një tjetër janë të lidhur me të drejtat e punëtorëve.

Totozani theksoi se  sot është rasti pra të mendojmë për punësimin dhe për hapjen e vendeve të reja të punës që do të mund t’i japë më parë se frymarrjen ekonomisë.

 “Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që kjo nuk është një ditë feste, por është një ditë angazhimi për të kërkuar respektimin e të gjithë të drejtave që lidhen me punën, si të drejta themelore të njeriut. Mendimi im i parë shkon për ata punëtorë që humbën jetën në galeritë e minierave apo në ndërtim, në kushte pune skandaloze, në shkelje flagrante të kushteve të sigurisë.

Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve është momenti për të kërkuar zbatimin e ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, por edhe të krijimit të më shumë mundësive të trajnimit dhe  përfshirjes në skemat e punësimit të grupeve vulnerabël, në mënyrë që edhe këta qytetarë të gjejnë veten përmes punës dhe të ndërtojnë të ardhme të sigurta dhe të qëndrueshme për veten dhe familjet e tyre. Mbështetje dhe ndihmë më e madhe duhet dhënë për fuqizimin e gruas përmes punësimit, pasi mundësitë ekonomike më të mëdha për to shndërrohen edhe në një  element mbrojtës nga dhuna në familje.

Shkëputja e marrëdhënieve të punës në mënyrë të padrejtë, përbën shkelje të të drejtave të njeriut, por është edhe abuzim me detyrën.  Ajo sjell pasoja mbi çdo individ, të cilat reflektohen më gjerë në familje dhe shoqëri.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve mbetet një moment frymëzimi për të gjithë, për të treguar guxim dhe vendosmëri në kërkesat për respektimin e të drejtës  së punës, e të drejtës për një jetë më të mirë”, tha Avokati i Popullit.

 

Të fundit