Flash News

KRYESORE

Dita në të cilën Opozita bëri paqe me popullin e saj

Dita në të cilën Opozita bëri paqe me popullin e saj

Gentian Gaba

Më në fund erdhi dita e protestës. Pas zgjedhjeve të kontestuara dhe akuzave për vjedhjen e tyre, pas dosjes Tahiri-Habilaj, pas arratisjes së investitorëve të huaj, pas PPP-ve që po i bëjnë paratë publike rrush e kumbulla, pas inceneratorëve shkatërrues për mjedisin, pas largimit të 350 mijë shqiptarëve, ajo erdhi.

Ishte e shumëpritur, e kërkuar nga opozitarët si uji në shkretëtirë. Erdhi në një ditë të bukur janari, plot diell dhe plot njerëz.

Nuk mund të ketë shifra zyrtare, edhe pse beteja e tyre ka nisur. Sigurisht do të kërkohet të mpaket, të përçmohet dhe të ironizohet (a thua t’i ketë opozita të gjitha fajet në këtë vend?).

Kukuvajkat po prisnin te shtegu i Facebook-ut, për të gjetur një të metë, një cen, një pikë të dobët.

E kishin mbushur fantazinë për të zbrazur breshërinë e akuzave në cilëndo mënyre që të shkonte protesta; dhe, fill pas fundit të saj, nisën komentet e opinionbërësve. Të shkathët, të nxituar, për të thënë atë që ata që nuk ishin sot në shesh dëshironin të dëgjonin kundër saj.

Prisnin më shumë, ndoshta kërkonin të “priteshin” koka; të thyeshin xhama, të digjeshin makina, të krijohej një histeri kolektive për t’i transformuar qytetarët në mish për top, në kavie protestash.

Madje zhgënjimin për qytetarinë e treguar nga ata qindra mijëra njerëz, nisën t’ia faturojnë krerëve të Opozitës, duke thënë se ata nuk ngjallin besim, nuk ngjallin frymë. Sikur të mos mjaftonte Bulevardi plot për të dëshmuar të kundërtën.

Sigurisht që këto komente kanë një qëllim të caktuar. Ata që i thurën kishin shpresën që Opozita do të binte në kurthin e dhunës, të tregohej e dëshpëruar për pushtet nëpërmjet gjesteve ekstreme, jo paqësore dhe antidemokratike.

Por kjo nuk ndodhi, dhe nuk ka për të ndodhur sepse Shqipëria nuk është më ajo që pikturojnë ata që kërkojnë alternativë të re, por sugjerojnë arritjen e saj me mjete të vjetra, pra të dhunshme.

Protesta ishte e sukseshme, jo vetëm për shkak të pjesëmarrjes dhe qytetarisë së treguar, por sidomos sepse dëshmoi që Opozita, sot, bëri paqe me popullin e saj.

Gjashtë muaj pas betejës së gjatë, ndoshta rraskapitëse, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sheshi u mbush përsëri. Një shenjë e qartë besimi.

Qytetarët erdhën, të shumtë duke aprovuar, me pjesëmarrjen e tyre jo vetëm qëndrimet e Opozitës, por, mbi të gjitha, duke i dhënë një mesazh plebishitar mazhorancës.

Kjo është protesta, zonja dhe zotërinj. Në demokraci qytetarët mblidhen paqësisht, ngrenë zërin e tyre, japin një mesazh politik dhe paqësisht kthehen në shtëpitë e tyre.

Nga ky moment i takon mazhorancës socialiste të bëjë llogaritë politike, dhe të kuptojë nëse dëshiron të marrë kostot me të cilat Rama po ngarkon trashëgiminë e selisë rozë.

Çdo formë tjetër ballafaqimi përkon me të shkuarën tonë, dhe jo me të ardhmen europiane që kaq shumë aspirojmë.

Përmbysja e vlerave që na ka dalluar në këto 27 vite, ka bërë që të duket normale një qeveri me duart e pista nga krimi, korrupsioni dhe kanabisi; dhe jo një protestë paqësore që kërkon më shumë mirëqenie, më shumë drejtësi dhe më pak korrupsion.

Nga sot, ky është kuti i demokracisë tonë. Ndoshta është momenti që të kemi edhe një Qeveri në lartësinë e kësaj Opozite.  

 

Të fundit