Flash News

Ditari i Maxhorancës

Buxheti 2022/ Manastirliu: 2.7 miliardë lekë për vaksinimin e popullsisë

Buxheti 2022/ Manastirliu: 2.7 miliardë lekë për vaksinimin e

Është mbledhur Komisioni për Ekonominë dhe Financat për të zhvilluar një seancë dëgjimore me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu lidhur me shqyrtimin e buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Manastirliu theksoi se të paktën rreth 420 milionë lekë do të shkojnë për qendrat dhe ndërmarrjet sociale, ndërsa buxheti parashikon edhe një pjesë për ish-të përndjekurit politikë.

"Rreth 420 milionë lekë shkojnë për qendra sociale dhe ndërmarrje sociale që aktivizojnë në territor shërbime të reja sociale për grupe të rriskuara. Ndërsa 1 miliardë e 25 milionë lekë janë për programin e ri-integrimit për të përndjekurit politikë", tha ministrja.

Sa i përket buxhetit të vaksinimeve, Manastirliu tha se 2.7 miliardë lekë do të akordohen vetëm për vaksinimin e popullsisë kundër Covid-19.

"Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe shtresave në nevojë. Nga ana tjetër programi që i përket shëndetit publik dhe që orienton zbatimin e programit të vaksinimit është 2.7 miliardë lekë dhe është specifik për vaksinimin e popullatës. Buxheti për vaksinimet nuk është pjesë e buxhetit për investimet. Pa përfshirë mbi 2 miliardë lekë fondet e investimeve, rreth 900 milionë lekë për përgjigjen ndaj Covid-19. Dua të siguroj se buxheti i vitit 2022 është buxhet që adreson sfidat e pandemisë si edhe mbështet zbatimin e programeve si përgjigje kundër koronavirusit", tha Manastirliu.

Lidhur me rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët që kanë qenë dhe vijojnë të jenë në frontin e parë të luftës me Coivid—19, ministrja theksoi se këtë vit përveç rritjes me 40%, ata përfituan edhe 1 mijë euro bonus.

"Vërtet pagat rriten me 6% por kjo nuk është diçka që ndodh pas 8 vitesh, ndodh çdo vit. Mos të harrojmë se në këtë vit aktual kemi pasur 40% rritje pagash për mjekët dhe infermierët. Kjo tregon vëmendjen e qeverisë për ta. Për të gjithë mjekët dhe infermierët që kanë qenë në frontin e parë të luftës kundër Covid-19 kanë përfituar bonusin prej 1 mijë eurosh që vazhdon ende sot dhe jepet", u shpreh Manastirliu.

Të fundit