Flash News

Ditari i Maxhorancës

“Dixhitalizimi i shërbimeve na ka ekspozuar shumë ndaj sulmeve kibernetike”, Rama pranon dështimin?

“Dixhitalizimi i shërbimeve na ka ekspozuar shumë ndaj sulmeve

Sulmet e vazhdueshme kibernetike ndaj Shqipërisë kanë qenë temë diskutimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Gjatë bashkëbisedimit me të ftuarit, duket se Rama e pranoi se dixhitalizimi i shumë shërbimeve e ka riskuar më shumë vendin që të jenë shënjestër e këtyre sulmeve.

Rama bëri edhe një krahasim duke thënë se nëse krimi kibernetik do ishte shtet, do të ishte ekonomia e tretë më e madhe e botës.

Kreu i qeverisë bëri me dije se për të hetuar sulmet kibernetike, shteti shqiptar bashkëpunoi me Microsoft, FBI dhe ekspertë të tjerë, para se të dilnin me akuza të forta ndaj Iranit.

“Ne ia dolëm që për 6-7 vitet e fundit të ishim një vend me 95% të shërbimeve të veta publike tërësisht në internet. Nuk ka më nevojë që të kontaktosh zyrat, burokracinë e kështu me radhë. Kjo na ka ndihmuar shumë dhe po e zhvillojmë çdo ditë. Në të njëjtën kohë na ka ekspozuar shumë. Vitin e kaluar u sulmuam nga Irani në mënyrë të rëndë.

Sigurisht bëmë më shumë vëmendjen në çdo hap, një hetim të tërësishëm të ndihmuar nga Microsoft, ekipi i FBI dhe ekspertë të tjerë para se të dilnim me këtë akuzë të bazuar në fakte, dhe ende jemi të sulmuar, praktikisht ditë pas dite.

Bekimi i teknologjisë na ktheu të shohim anën tjetër që është mallkimi i teknologjisë. Edhe pse nuk kemi një siguri kibernetike të fjalës së fundit, arritëm që të shmangnim zhdukjen tërësore të sistemeve që kishim dhe praktikisht shmangëm humbjen e të dhënave, çka ishte synimi i sulmit. Nëse krimi kibernetik do ishte shtet, do të ishte ekonomia e tretë më e madhe e botës pas SHBA dhe Kinës”, tha Rama.

Të fundit