Flash News

Ditari i Maxhorancës

Abuzimet me pronat/ Manja kërkon “shkrirjen” e Kadastrës së Durrësit, bën bilancin e dy muajve punë të “Antikorrupsionit”

Abuzimet me pronat/ Manja kërkon “shkrirjen” e Kadastrës

Drejtoria Antikorrupsion ka gjetur shkelje të mëdha në Agjensinë e Kadastrës së Durrësit. Në një konferencë për mediat, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se verifikimet pas denoncimeve të qytetarëve kanë çuar në konkuluzionin se nga drejtori deri te specialistët e këtij institucioni kanë kryer shkelje të rënda në bashkëpunim.

Ai tha se vetëm në pak muaj janë konstatuar 215 dosje legalizime objektesh, të cilat kishin mungesë të të dhënave që kërkon ligji. Nisur nga kjo, Manja kërkoi shkarkimin e të gjithë punonjësve.

“Kemi çuar si masë për shkarkim nga detyra pothuajse të gjithë drejtorinë e Kadastrës Durrës. Kemi kërkuar shkrirjen e kësaj drejtorie, nga drejtori i ASHK-së te përgjegjësi i sektorit të legalizimeve, hartografisë, etj. Janë 215 dosje legalizime objektesh që janë marrë në shqyrtim vetëm për periudhën gusht-tetor 2021.

Ku ka rezultuar se në këto dosje mungonin totalisht dokumentacionet më të rëndëishme që kërkon ligji. Një praktikë pune fiktive dhe abuzive, pa vetëdeklarime nga subjektet, pa akte evidentimi në terren, pa kartela të pasurisë, pa harta e një sërë shkeljesh. Është guxim i madh. Një zyrë e gjitha në shkelje, nga drejtori te specialistët të sinkronizuar në shkelje”, tha Manja.  

Ky i fundit bëri dhe një përmbledhje të punës dy mujore të Drejtorisë Antikorrupsion. Ai tha se janë 200 praktika të trajtuara dhe 11 padi të depozituara në Prokurori.

“Më lejoni të bëj një përmbledhje me pak shifra të dy muajve të parë të punës së Drejtorisë Antikorrupsion. Janë gjithësej 200 praktika të trajtuara, që janë denoncuar.

Nga këto praktika të hetuara 11 kallëzime janë formuluar dhe depozituar në Prokurori, respektivisht në SPAK, Prokurorinë e Tiranës dhe të Durrësit. Ndërkohë që janë referuar në njësitë përkatëse rreth 48 masa administrative”, tha Manja.

Të fundit