Flash News

Ditari i Maxhorancës

Hetimet për Ceno Klosin, SPAK sekuestron celularët e vartësve të tij

Hetimet për Ceno Klosin, SPAK sekuestron celularët e vartësve

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar celularët e disa prej vartësve të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi.

Pas sekuestrimit të celularëve ekspertët e SPAK do të eksportojnë dhe këqyrin komunikimet e tyre, ku fokusi janë bisedat që mund të jenë zhvilluar me drejtorin Klosi. Gjithashtu, SPAK ka sekuestruar dokumente te Tatimet që lidhen me vendimmarrjet e Klosit.

Për momentin Prokuroria e Posaçme po heton Klosin pas dy kallëzimeve të bërë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kallëzime të regjistruara në korrik dhe dhjetor të vitit 2023. Dy kallëzimet janë bashkuar në një procedim të vetëm.

NISJA E HETIMEVE

SPAK nisi hetimet ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve për veprat penale të “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumentave” mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike.

“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria.

Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 6 muaj para kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi.

“Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Mashtrimi”. SPAK ka vendosur bashkimi e dy procedimeve në një të vetëm.

Klosi, i cili në krye të tatimeve, iu bindet me shumë urdhrave politikë, sesa ligjit, duke ndëshkuar padrejtësisht bizneset, ka  punuar për 13 vite si specialist dhe drejtues sektorësh në banka të nivelit të dytë dhe më pas gjatë periudhës 2015-2021 ka mbajtur pozicionin si Drejtor i Departamentit Ekonomik në OSHEE. Në qershor të 2021 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës- Kanalizime dhe Mbetjeve të ngurta, ndërsa me VKM 625, datë 22/10/2021 u emëruar drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.

Të fundit