Flash News

Ditari i Maxhorancës

Kuvend, miratohet me 84 vota pro buxheti për vitin 2021

Kuvend, miratohet me 84 vota pro buxheti për vitin 2021
Foto Ilustruese: Votimi në parlament

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 84 vota pro, 14 kundër dhe 1 abstenim buxhetin për vitin 2021.

Votimi erdhi pas shqyrtimit të projekt-buxhetit në seancën e sotme plenare, por edhe miratimit nen për nen dhe në tërësi nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave.

Gjatë diskutimeve në Kuvend, ndër zërat kundër buxhetit ishte deputetja e opozitës, Rudina Hajdari,e cila akuzoi qeverinë se ka bërë një buxhet që favorizon oligarkët dhe nuk i mbështet qytetarët.

Ndërkaq, kryeministri Rama e vuri theksin tek shuma 23.3 % e planifikuar të investohet në shëndetësi, e cila sipas tij është më e larta në 30 vjet.

Qeveria njoftoi në fundjavë një shtesë prej 1.2 miliard lekësh të reja për Shëndetësinë, me qëllim rimbursimin e barnave për Covid-19, për të gjithë qytetarët që kurohen në kushte shtëpie. Ndërsa, kryeministri Rama bëri me dije gjatë ditës së sotme se është paguar kapari për të marrë vaksinën nga COVAX.

Një pjesë të parave nga buxheti i 2021 do të shkojnë dhe për naftëtarët e Ballshit, të cilët javën që lamë pas arritën një marrëveshje me kryeministrin Rama për të marrë mbështetje financiare në vlerën 560 milion lekë.

Ata do të përfitojnë për 12 muaj një pagë mbështetëse prej 40 mijë lekësh të reja neto, si dhe 4 paga nga pagat e prapambetura, ndërsa qeveria do të paguajë të gjitha sigurimet shëndetësore dhe gjithashtu angazhohet për gjetjen e një investitori serioz për të rivënë në punë Rafinerinë.

Në seancën e sotme u miratua dhe projektligji për disa ndryshime në ligjin për “Partitë politike” me 82 pro, 14 kundër dhe 3 abstenim.

Të fundit