Flash News

Ditari i Maxhorancës

Lleshaj, përgjegjësi ligjore për aktin e policit? Gjonaj: Protesta kërkon drejtësi për Klodian Rashën...

Lleshaj, përgjegjësi ligjore për aktin e policit? Gjonaj:
Foto Ilustruese/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka sqaruar se Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, nuk do të përballet me asnjë përgjegjësi ligjore pas dhënies së dorëheqjes pas protestave për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha.

Në një intervistë për Report Tv Gjonaj theksoi se dorëheqja e Lleshajt ishte një akt dhe përgjegjësi morale, dhe se ministri nuk ka përgjegjësi ligjore për aktin e policit që vrau të riun Klodjan Rasha.

"Ministri i Brendshëm nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për aktet e një efektivi, ai nuk i dha urdhër për të qëlluar. Ministri dha dorëheqjen pas një përgjegjësie morale dhe ky është një akt i mjaftueshëm. Nuk e kuptoj pse duhet të kërkojnë dorëheqjen e drejtorit të policisë. Protesta kërkon drejtësi për vrasjen e Klodjan Rashës dhe këtë do e jap drejtësia, është në dorë të saj çështja. Nuk e kuptoj dhunën në protesta", tha Gjonaj.

Referuar përzgjedhjes së ministrit të ri, Gjonaj tha se kjo është përgjegjësi e kryeministrit, duke mos zbuluar asnjë emër konkret. 

"Protestat në çdo rast janë një mekanizëm i demokracisë por kur këto janë të paqta. Në shumë raste kur kemi pasur protesta, qeveria ka reflektuar, siç është rasti i studentëve. Kishte një anë humane nga protesta në Durrës. Njerëzit duan pak qetësi dhe solidaritet në këto momente. Fëmijët tanë kanë kaluar një vit shumë të vështirë. Ata nuk duhet të shohin akte dhune në televizor. Mendoj që zgjedhja e ministrit të ri është një përgjegjësi i kryeministrit. Do të jetë ai që në momentin që do ketë të gatshëm një emër dhe besoj se do jetë i gatshëm në ditët në vijim" - tha Gjonaj.

Të fundit