Flash News

Ditari i Maxhorancës

Matematika e propagandës: Rama liston ish-ministrat nën hetim, por harron deputetët dhe kryebashkiakët pas hekurave

Matematika e propagandës: Rama liston ish-ministrat nën hetim, por

“Nëse sot flisni për luftë kundër korrupsionit, është sepse këtë ditë e solli kjo parti”. Këtë deklaroi kryeministri Rama nga bashkëbisedimi “Sy m’sy” me ndjekësit e tij në Facebook.

Goditjet që drejtësia i ka dhënë kryesocialistit, nga ish-deputetë në ish-zv.kryeministra e deputetë aktualë,  Rama i përkthen herë në arritje falë Reformës në Drejtësi e herë në goditje të njëanshme.

“Të gjithë ministrat i ke pas hekurave”, iu drejtua Ramës një qytetar në Facebook, pohim që nxiti kryeministrin të listonte ish-at e arrestuar dhe nën hetim.

“Nuk duhet menduar as më pëlqen as nuk më pëlqen Edi Rama, as sa ministra janë në burg dhe as sa ministra nuk janë në burg. Po qe puna aty e bëjmë edhe llogarinë! Në tre mandate kanë qenë 60 ministra, Dy ministra janë dënuar nga mandati i parë, njëri nga PS, njëri nga aleati strategjik, ndjesë pastë. Pastaj një i tretë në paraburgim, por i padënuar ende. Dhe një i katërt në arrati, zv.kryeministri 4 janë OK?

Nëse sot ju flisni për luftë kundër korrupsionit dhe për ministra për njerëz të lidhur me pushtetin të hetuar e dini pse ju erdhi dita të flisni sepse këtë ditë e solli kjo parti, kjo ambicie dhe ky vizion për të hyrë në BE”, tha Rama.

Në fakt, Rama nuk është i gabueshëm për ish-ministrat dhe ish-numrin dy të qeverisë Rama 2.

Saimir Tahiri u dënua me tre vjet e katër muaj heqje lirie, në shkurt të vitit 2022, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Më 2 qershor 2023, Tahiri u lirua nga Gjykata e Shkallës së Parë të Elbasanit 20 muaj para përfundimit të dënimit.

Ilir Beqja, ish-ministër i Shëndetësisë, ndodhet aktualisht në paraburgim pasi akuzohet për abuzim me fondet SASPAC. Bashkë me të në pranga ra edhe ish-zëvendësi i tij, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj vijon të mbetet në arrati. Ndaj tij u dha masa “arrest në burg” pasi akuzohet për refuzim për deklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, korrupsionit pasiv dhe aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe pastrim të produkteve të veprës penale, vepra penale nga të cilat mund të dënohet deri në 15 vite burg.

Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit, ndodhet në burg i dënuar me 10 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit në 6 vite e 8 muaj heqje lirie.

Mirëpo, Rama harron një detaj për qeverinë e tij, deputetët që nuk arritën ta përfundonin mandatin pasi u arrestuan gjatë hetimeve të SPAK.

Një prej tyre është Jurgis Çyrbja i cili ndodhet në burg pasi SPAK urdhëori arrestimin e tij nën dyshime për shitje të sekreteve shtetërore. Edhe kryebahskiakët e Ramës kanë përfunduar në pranga dhe disa nën hetim.

Safet Gjici u dënua u dënua me 4 vite e 6 muaj burg, nga të cilat do të duhet të vuajë 3 vite për shkak të përfitimit të gjykimit të shkurtuar. Ish-kryebashkiaku i Kukësit u filmua duke kryer marrëdhënie seksuale me Alma Kaçin.

Fatos Tushe, ish-kryebashkiak i Lushnjës u dënua me 2 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre dhe po për abuzim me detyrën u dënua edhe ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit Fran Tuci.

Ish-kryetarja e Bashkisë Patos Rajmonda Balilaj është në proces gjykimi nën akuzat e manipulimit të tenderëve ndërsa Luiza Mandi, ish-kryebashkiake e Libohovës, u dënua për abuzim me detyrën.

Kryebashkiaku i Libohovës Leonard Hida u mor i pandehur ndërsa ai i Kuçovës Kreshnik Hajdari është dërguar për gjykim nën dyshimin e veprës penale falsifikim dokumentesh.

Kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla u dënua me 1 vit burg për korrupsion në zgjedhje.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, u arrestua nën akuzë për 4 vepra penale: korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë; korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë; pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive,

Ish-kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla është dënuar me 2 vjet burg për shkelje të barazisë në tenderë.

Të fundit