Flash News

Ditari i Maxhorancës

Mes debatesh, Rama dëshmon 10 orë në Komisionin për Inceneratorët: 430 mln euro janë para për deri në 2047

Mes debatesh, Rama dëshmon 10 orë në Komisionin për

Me tensione, debate e tone të larta që herë pas here çuan në ndërprerje të shkurtra të mbledhjes, ka zgjatur plot 10 orë dëshmia e kryeministrit Edi Rama përpara Komisionit Hetimor për Inceneratoret, ku i është përgjigjur pyetjeve të opozitës dhe mazhorancës.

Gjatë debatit në komision, kryeministri Rama u shpreh se është krenar për atë që është bërë në këto 8 vite me pastrimin e plehrave në vend, pasi më parë, sipas tij qytetarët i rrisnin fëmijët mes mbeturinave.

"Këto projekte janë një nga krenaritë e mia si Kryeminisër dhe kjo nuk ka pikë dyshimi", tha Rama. Deri në 2013 ekzistonte vetëm një pikë grumbullimi e mirëmanaxhuar në Bushat dhe pastaj ishte Sharra, si një bombë ekologjike dhe 50% e popullatës shqiptare nuk kishte asnjë shërbim për asgjësimin e mbetjeve. Sot falë investimeve që bëri qeveria në fushën e mbetjeve situata është komplet ndryshe”, ka deklaruar ai.

Rama i ka kërkuar opozitës në Komisionin Hetimor për Inceneratorët që të heqin dorë nga akuzat se janë vjedhur 430 mln euro, duke theksuar edhe një herë se ajo është një shumë që përfshin shërbimin e manaxhimit të mbetjeve deri në vitin 2047.  "Ju keni folur për një aferë shekulli. Një aferë shekulli duhej të kalonte minimalisht atë që ishte deri dje afera e shekullit, Rruga e Kombit dhe keni ngritur shifrën 430 mln euro. Doli dhe një 45 mln tjetër për t'i dhënë edhe më shumë erë shekullore aferës. Ju i keni thënë shqiptarëve janë vjedhur 430 mln euro. Tani sot me gojën e vet Tabaku pohoi se nuk na qenka tamam kështu. Z.Këlliçi nuk më rezulton mua që ka përqafuar aritmetikën e delegatëve për karrige. Ky është moment i mirë për të riparë aritmetikën e aferës.

Është e rëndësishme që ndarja që ishte një ndarje shumë qartësisht e definuar nga dy këndvështrime të aritmetikës, njëri ekstravagant tjetri normal, duhet të mishërohet dhe këtu. Po flasim për një angazhim deri në vitin 2047 ku situata në këtë parlament do jetë tjetër dhe deri në 2047 uroj që z.Këlliçi do jetë këtu dhe të bëjë dhe një komision tjetër. Ne diskutojmë 430 mln euro për para që janë deri në 2047. Ky është problemi që kam unë me aferën, kështu që ta heqim këtë 430, është në nderin e Foltores që ta heqë", tha Rama.

Rama specifikoi përgjegjësinë kushtetuese si kryeministër duke përfshirë dhe atë për miratimin në qeveri të këtyre 3 kontratave duke i dalë për zot siç tha çdo vendim kolegjial përfshirë dhe ato të marra me Sajmir Tahirin e Lefter Kokën kur ishin ministra dhe duke u distancuar nga çdo nismë e tyre individuale jo ligjore.

“ Unë nuk jam nga ata që fshihem, unë i dal për zot të gjitha gjërave që i bëj. I dal për zot të gjitha punëve të jashtëzakonshme që kam bërë me Saimir Tahirin. Unë i vë gjoksin çdo ministri për çdo akuzë që bëhet për sa kohë akuzat janë të lidhura me punën e përbashkët”, tha ai.

Rama me shifra hodhi poshtë akuzat se janë vjedhur nga buxheti i shtetit 430 mln euro për tre impiantet.

“ Ku janë këto 100 milion për Tiranën? Më jepni dokumentin ku shkruhet 100 mln euro? Ku e keni blerë xhaketën 75 mijë euro? Në Tiranë ndërtohet 100 për qind me paratë e kompanisë. Këto janë pagesat për grumbullimin dhe trajtimin e plehrave”, u shpreh ai.

Si në rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri të dënuar për shpërdorim detyre, edhe për Lefter Kokën, kryeministri Rama tha se bashkëpunimi si ministër Mjedisi ka qenë korrekt, dhe se përgjegjësinë përballë ligjit e ka individuale.

"Jam i lumtur që reforma në drejtësi po funksionon. Kur kam thënë të majtë e të djathtë nuk kam bërë propagandë. Qeverisja, jeta publike nuk është hapësira e engjëjve, është hapësira e njerëzve, dhe në këtë hapësire ka njerëz që korruptohen, inkriminohen", u shpreh kryeministri.

Një përgjigje i dha Komisionit Hetimor edhe për akuzat ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj se ka kaluar kompetencat që i jep ligji duke dhënë miratimin për inceneratorin e Sharrës pa dakordësinë e Këshillit Bashkiak.

"Dëshmia e kryeministrit Edi Rama mbyll listën e gjatë të zyrtarëve të lartë që kanë dalë gjatë javës, ndërsa puna e komisionit hetimor mbyllet më 25 shkurt, kur me shumë gjasë opozita dhe mazhoranca do të dalin me 2 raporte të ndryshme për hetimin parlamentar të inceneratorëve", tha Rama.

Me dëshminë e Kryeministrit Rama Komisioni Hetimor Parlamentar për Inceneratorët mbyll sot maratonën e dëshmive për këtë çështje të cilën opozita e quan 'afera 430 milionë eurosh'. 

Të fundit