Flash News

Ditari i Maxhorancës

Nesër nisin konsultimet për Presidentin e ri, PS fton Alibeajn në negociata

Nesër nisin konsultimet për Presidentin e ri, PS fton Alibeajn në

Partia Socialiste do të nisë nesër konsultimet me tre grupe parlamentare për Presidentin e ri.

Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla u shpreh se Kuvendit i është dërguar kërkesa për fillimin e procesit kushtetues më 29 Prill. Balla tha se parashikohet të ketë 5 raunde, ndërsa nesër do të merren propozimet e para nga socialistët.

Deputetët e PS do të propozojnë jo më shumë se tre emra kandidatësh, ku pjesë e depozitimit të propozimeve do të jenë edhe anëtarë të Shoqërisë Civile.

“Kemi iniciuar kërkesën për fillimin e këtij procesi kushtetues në Kuvendin e Shqipërisë në datën 29 prill. Duhet t'i lëmë më shumë kohë procesit konsultues që paraprin procesin kushtetues. Sipas parashikimeve të Kushtetutës, procesi kushtetues fillon me mbajtjen e konferencës së kryetarëve dhe prej asaj dite, në çdo 7 ditë zhvillohet secili prej raundeve. Kushtetuta parashikon 5 raunde. 3 të parat janë raunde që kërkojnë një shumicë të cilësuar me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit dhe në 2 raundet e tjera vihet në lëvizje mekanizmi zhbllokues.

Nesër në këtë sallë të Grupit Parlamentar ne do të marrim propozimet e para me emra konkretë për kandidat për President nga anëtarët e Grupit Parlamentar të PS. Në një zarf çdo deputet i Grupit Parlamentar përmes një formulari propozues do të ketë mundësinë të propozojë jo më shumë se 3 kandidatë/e. Nesër anëtarët do t'i depozitojnë në një sekretari të posaçme. Ne do të ftojmë shoqërinë civile të bëhet pjesë e konsultimeve. Ne do t'i ftojmë që të sjellin propozimet e tyre”, tha Balla.

Balla tha se diskutimet do të zhvillohen me kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeajn, Mesila Dodën dhe Fatmir Mediu.

“Enkelejd Alibeaj, Mesila Doda, Fatmir Mediu ftohen në një takim paraprak në zyrat e kuvendit të Shqipërisë me qëllim që të nisim të vendosim parimet kryesore të një dialogu konstruktiv mes 4 grupeve parlamentare”, shtoi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS tha se procesi i konsultimeve do të përmbyllet brenda datës 29 Prill, ndërsa seanca e parë për zgjedhjen e Presidentit do të zhvillohet më 4 Maj.

Të fundit