Flash News

Ditari i Maxhorancës

Nga shpërblimet e fundvitit dhe rindërtimi te sporti/ Vendimet e reja të qeverisë Rama

Nga shpërblimet e fundvitit dhe rindërtimi te sporti/ Vendimet e reja

Vendimet e reja që mori qeveria shqiptare ditën e sotme lidhen me shpërblimet e fundvitit për pensionistët apo kategritë e tjerë të qytetarëve në nevojë. Gjithashtu janë miratuar vendime për procesin e rindërtimit dhe në fusha të tjera.

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj bëri me dije se janë akorduar likuiditetet për bashkitë, në mënyrë që të vazhdohet me procesin e rindërtimit. Ai tha se buxheti për rindërtimin këtë vit është 35 miliardë lekë.

"Sot janë marrë disa vendime të rëndësishme në kuadrin e rindërtimit. Sot janë akorduar likuiditete qoftë të bashkisë së Tiranës, bashkive të tjera dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit që bëjnë të mundur vazhdimin me shpejtësi të rindërtimit.

Këtë vit, buxheti ka shkuar në 35 mld lekë. Midis vendimeve të rëndësishme janë edhe bonusi i solidaritetit për pensionistët dhe për një gamë të kategorive të qytetarëve në nevojë", tha Ahmetaj.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri me dije se janë rreth 72 mijë individë që do të përfitojnë shpërblimet e fundvitit. Fondi, pa përfshirë shpërblimet për pensionistët është rreth 4 milionë dollarë.

"Qeveria ka vendosur shpërblimin e fundvitit për familjet në ndihmë ekonomike dhe janë rreth 66 mijë familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike, të cilat do të përfitojnë nga paketa e solidaritetit. Gjithashtu të gjithë ata përfitues të skemës së pagesave të aftësisë së kufizuar, janë rreth 72 mijë individë, të cilët do të përfitojnë shpërblimet e fundvitit”, bëri me dije Manastirliu.

Ishte ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delinda Ibrahimaj që dha detaje për kategorinë e pensionistëve. Ajo tha se shpërblimin e përfitojnë 668 mijë pensionistë.

Për këtë kategori qeveria ka akorduar 3.5 miliardë lekë. Ibrahimaj bëri me dije se u miratuan vendime që lidhen me kategorizimin e bizneseve në të vogla dhe të mesme. Sipas saj, ky kategorizim është i nevojshëm për përfitimin e ndihmave nga shteti dhe nxitjen e tyre.

"Në mbledhjen e qeverisë miratuam projekt-vendimin që i referohej dhe ministrja e Shëndetësisë për të gjithë kategoritë e pensionistëve. Janë gjithësej 668 mijë pensionistë që përfitojnë nga paketa, e cila arrin në 3.5 miliardë lekë dhe 400 milionë lekë për kategoritë e tjera sociale.

Sot kaluam disa ligje të rëndëishme sa i përket fushës së ekonomisë. bëhet fjalë për kategorizimin e ndërmarrjeve mikro dhe të mesme. Tashmë janë të rregulluara me bazë ligjore dhe përfitimet që do të kenë në të ardhmen nga shteti", tha ministrja.

Ndërsa ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi vendimin e ri të qeverisë për sportistët e nivelit të lartë, që së bashku me trajnerët e tyre do të përfitojnë shërbime ekstra me ndryshimet e fundit ligjore.

"Me vendimin e sotëm miratuam disa ndryshime në kriteret, shpërblimin dhe trajtimin e sportistëve që kanë statuesin e nivelit të lartë dhe trajnerëve të tyre. Qëllimi është t'i motivojmë sa më shumë dhe t'i plotësojnë kushtet.

Që do të thotë Briken Çalja do shpërblehet e vlerësohet njësoj si peshëngritësit e tjerë evropianë e botërorë. Por jo vetëm Brikeni por dhe Erkand Qerimaj e të tjerë që muajt e fundit na kanë nderuar në kapionate evropiane", tha Kushi.

Të fundit