Flash News

Ditari i Maxhorancës

Pas kryebashkiakëve, Rama mbledh ministrat për tenderat: 70% me probleme, do iu çoj në SPAK nëse s'reagoni pas rekomandimit të APP

Pas kryebashkiakëve, Rama mbledh ministrat për tenderat: 70% me

Pas kryebashkiakëve, sot ka qenë radha e ministriave për tu paraqitur në Kryeministri para kryeministri Edi Rama, i cili ka paketën e re të prokurimit publik. 

Gjatë fjalës së tij, Rama ka bërë me dije se në fillim të vitit 2021, janë kryer 936 procedura ku 70% e tyre kanë pasur problematika në hartimin e kritereve dhe se 20% e institucioneve nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve. Sipas kryeministrit, nga analiza e 25 institucioneve, në 21 prej tyre, 30-40 % të procedurave tenderuese i kanë vetëm me një operator ekonomik.

"Duhet të kemi një mobilizim të posaçëm në zbatimin e paketës së re ligjore në fushën e prokurimit publik, pa humbur kohë. Nuk dua të hyj në detaje lidhur me progresin e bërë në këtë fushë, me rezultatet e lexueshme përmes të dhënave, që disponojmë, sepse qëllimi nuk është që të shikojmë pas, për t’u krahasuar me të shkuarën, por të shikojmë përpara për të kapërcyer sa më parë dhe sa më shpejt hendekun e gjerë mes nesh dhe të ardhmes.

Paketa e re ligjore synon pikërisht që t’u japë autoriteteve kontraktore dhe shtetit shqiptar mjete të reja efikase, duke ju garantuar një kuadër rregullator të prokurimit publik në Shqipëri të përafruar me legjislacionin evropian, si dhe duke adresuar të gjitha ato gjetje dhe rekomandime të ndryshme të organizatave ndërkombëtare, kërkesat për ndryshim, problematikat e hasura në praktikë gjatë procesit të prokurimit.

Nga të dhënat e administruara për të gjitha institucionet që lidhen me ministritë dhe agjencitë e pushtetit ekzekutiv, gjatë 2020 dhe periudhës së parë të 2021 rezulton se janë asistuar 936 procedura të publikuara. Ndër to, 70 % e procedurave ka rezultuar problematika në hartimin e kritereve. Për këtë arsye, institucioneve përkatëse u janë dërguar rekomandime nga prokurorimi publik. 20 % e institucioneve në këtë sallë nuk kanë reflektuar ndaj këtyre rekomandimeve. Rekomandimet e prokurorimit publik nuk janë të shkruar në gurë, por është e padiskutueshme që mosreagimi ndaj tyre me shkrim për të vënë në diskutim me argumente një pikë ose një tjetër, është një cënim flagrant i etikës shtetërore. Të gjithë e dimë, është sekreti më i madh publik në Shqipëri që në problematikën e prokurorimeve, armiku kryesor janë kriteret e qepura me dorë për kualifikim që ndikojnë drejtëëpërdrejtë në uljen e pjesëmarrjes.

Në shqyrtimin e të dhënave, janë asistuar nga APP, 936 procedura dhe nga këto, mesatarja e ofertave të kualifikuara është 2.56. Nga analiza nga 25 institucione, 21 prej tyre, 30-40 përqind i kanë me nga një operator ekonomik.

Pavarësisht se procedura është e hapur. Janë hetuar 57 procedura prokurimi ajo që ka rëndësi është se janë konstatuar probleme në përllogaritjen e fondit limit, kritere kualifikimi pa lidhje me objektin e kontratës, fitues që nuk plotësojnë kriteret.

Janë dënuar me gjobë 41 punonjës dhe masë 91 punonjës. Shifrat mund të duken të vogla, por nëse e shohim perceptimin publik për tenderat pamja është madhështore për nga negativiteti i saj. Sidoqoftë, në këtë moment është shumë e rëndësishme të bëhet një analizë serioze e kapaciteteve të burimeve njerëzore. Bie në sy niveli i ulët i kuptimit të vetë procesit, që më pas krijon një efekt zinxhir dhe degradon procesin në rezultate të shëmtuara. Qëllimi madhor i kësaj përpjekjeje është që në këtë vend mos i hahet haku askujt dhe kush e ka me hak të marrë hakun kush nuk e ka të mos marrë hakun e dikujt tjetër.

Është shumë më e lehtë të thuhet se të bëhet se procesi është në vetvete i ndërlikuar, për të cilin edhe vetë BE vijon të kërkojë rrugë në mjete ligjore për ta përsosur por është plotësisht e mundur që në një kohë të shkurtër ky shtet të kalojë në një nivel tjetër në fushën e prokurimeve publike.” u shpreh Rama.

Kryeministri u ka bërë të qartë ministrave se nëse nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre pas rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike për tendera me probleme, do i çojë në SPAK.

"Në një kohë të shkurtër, jo të gjatë, ky shtet të kalojë në një nivel tjetër të nivelit të Prokurimeve Publike, në radhë të parë duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrak, dhe duke funksionuar kështu, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikim duhet të jetë 100% i garantuar. Rekomandimet e APP nuk janë as në Bibël e as në Kuran, edhe pse këto përsëri hanë diskutimet e tyre mes besimtarëve, por ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhët sa të mos ketë fare përgjigje, a thua se kjo APP mbyll letra në shishe dhe i hedh në det, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK nga kryeministria, pastaj a është i qëllimshëm apo injorancë këtë çështje pastaj hane hetimet. Janë disa objektiva të realizueshëm, që afatet janë të padiskutueshme. Shmangia e kritereve të qepurave me dorë që kufizojnë konkurrencën me paketën ligjore është mundësuar që të adresohet me efikasitet, tërheqjet nga gara, rrotacionet në ofertim, ofertimet fiktive duhen marrë masa që të merren hetime administrative", tha Rama.

Të fundit