Flash News

Ditari i Maxhorancës

PS fiton 5 nga 6 bashkitë në garë, Rama: Rezultate përtej parashikimeve, por shija e fitores është e pamundur

PS fiton 5 nga 6 bashkitë në garë, Rama: Rezultate përtej

Teksa procesi i numërimit të votave vazhdon ende në bashkinë e Durrësit dhe Shkodrës, PS ka arritur të fitojë në 4 bashki të vendit ku u zhvilluan zgjedhjet e e pjesshme vendore.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për fitoren e forcës së tij politike. Në një postim në Facebook, Rama shkruan se janë rezultate të cilat i priste, duke theksuar diferencën e votave të marra krahasuar me rivalët.

“Zgjedhjet e djeshme i dhanë Partisë Socialiste as më shumë e as më pak se sa prisnim. 5 nga 6 bashkitë në garë - me një fushatë pa i ndezur motorët e qendrës dhe me një hendek votash nga rivalët edhe më të madh se sa tregonin projeksionet tona. Urime fituesve dhe faleminderit të gjithë atyre që u angazhuan për këtë rezultat, po mbi të gjitha faleminderit zgjedhësve, të cilët dje ushtruan pushtetin e tyre vendimmarrës në interes të komunitetit”, shkruan Rama në Facebook.

Nga ana tjetër, kryeministri është ndalur edhe te situata aktuale në Ukrainë, duke theksuar se “ajo që po ndodh në më pak se dy orë vijë ajrore nga Shqipëria, e bën të pamundur shijen legjitime të kësaj fitoreje”.

“Sa hap e mbyll sytë bota ku jetonim ka rindryshuar përsëri. Por ndryshe nga ndryshimi i përkohshëm që na ka imponuar pandemia, ky rindryshim duket se nuk do të jetë aq i përkohshëm. Lufta po vret e po shkatërron në Ukrainë, por po i fut kthetrat e ndikimit të saj kudo, në tregjet e mëdha e të vogla, ku jeta e përditshme po shtrenjtohet orë e minutë nën bombat e pasigurisë që lufta mbjell kudo. Ndërkohë ne kemi fituar Dibrën, Durrësin, Lushnjën, Vorën e Rrogozhinën, me rezultate përtej parashikimeve më optimiste! Por sot lartësia e sfidës është ku e ku më shumë marramendëse, se sa mirëqeverisja e këtyre bashkive dhe se sa të gjitha sfidat qeverisëse deri fare pak ditë më parë”, shkruan Rama.

Të fundit