Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama dhe ministrat e tij “dush të ftohtë” kryebashkiakëve: Do iu shtrëngojmë pa tolerancë, dy bashki drejt falimentit

Rama dhe ministrat e tij “dush të ftohtë”

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në Pallatin e Kongreseve kryebashkiakët e vendit. Në takim janë të pranishëm edhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe ajo e Financave, Delina Ibrahimaj.

Rama dhe ministrat kanë nisur menjëherë nga kritikat. Ibrahimaj shprehu rezerva për mbledhjen e taksës së pasurisë, njoftuar se do të hartohet një ligj i ri.

Ajo u shpreh se taksa e pasurisë këtë vit do të nisë me një proces krejt ndryshe duke nënvizuar se pilotimi do të nisë në 9 bashki. Për funksionimin e këtij procesi, Ibrahimaj shtoi se duhen sisteme të forta elektronike.

“Dua të ndalem te disa taksa që nuk e kanë pasur perfomancën e duhur. Prej kohësh kemi folur për taksën e pasurisë që këtë vit fillon me një proces ndryshe. Taksa e pasurisë këtë vit fillon me një proces krejt ndryshe.

Ajo është duke u pilotuar në 9 bashki. Pilotimin e fillojmë në 9 bashki. Është nga ato taksa që nuk ka pasur performancë aq të mirë sa të tjerat. Do hartojmë një ligj të ri të taksës së pasurisë Pritet të nisë diskutimi në gjysmën e dytë të vitit. Pa sisteme të forta elektronike nuk arrihet reformë në mbledhjen e taksave”, tha Ibrahimaj.

Çuçi deklaroi se ka realitete të ndryshme nga bashkia në bashki sa i takon menaxhimit. Ai theksoi se ka bashki që kanë arritur ta zerojnë borxhin e trashëguar dhe të tjera që janë në prag të falimentimit.

“Por decentralizimi është një proces me dy kahe. Kërkohet ndërgjegjësim dhe përgjegjëshmëri në rritje. Këtu realitetet janë krejtësisht të ndryshme. Sot kam kënaqësinë të shpreh vullnetin e qeverisë për të vazhduar reformën e decentralizimit. Por ky nuk është qëllim por mënyrë partneriteti që ka për qëllim final shërbime më të mira ndaj qytetarëve.

Kemi realitete të ndryshme nga bashkia në bashki. Mund të marr rastin e borxheve që kanë trashëguar dhe për fat të keq disa bashki vazhdojnë dhe e thellojnë. Kemi modele bashkish që kanë arritur ta zerojnë borxhin dhe kemi bashki që janë në prag të falimentimit”, u shpreh ministri.

Këtë e pohoi edhe Ibrahimaj, teksa bëri me dije se 35 bashki janë pa probleme, 14 me probleme , 10 në vështirësi dhe 2 me probleme serioze, por pa treguar se cilat janë.

Edhe Rama ka vijuar me kritika, duke vënë në dukje se bashkitë nuk kanë aktivitet për të rigjeneruar para. Ai paralajmëroi se do t’i shtrëngojë pa tolerancë, duke theksuar se s’mund të lejojë rritjen e borxhit.

“Ne do të hyjmë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë. Kjo është e domosdoshme sepse nuk mundet dot që akumulimi historik i borxheve të bëhet një rrugë e hapur edhe për vitet që kemi përpara.

Bashkitë të mendojnë për të shtuar burimet e tyre financiare me të ardhura që burojnë nga tregu. Është e dhëna më dramatike në këto 30 vite që volume i aktiviteteve që lidh bashkitë me krijimin e të ardhurave jo buxhetore është minimal, afër zeros.

Është e pamundur që ne ende sot në nivel bashkiak, që nga Tirana, të mos kemi asnjë aktivitet ekonomik të pavarur që prodhon të ardhura. Duke filluar nga ndërtimi. Bashkitë i kanë të gjithë mundësitë që të ndërtojnë dhe të fitojnë para për buxhetin e tyre. Më thoni një kompani bashkiake që ndërton në funksion të strehimit në Shqipëri? Asnjë, nuk ka! Nuk mundet të jetë qeveria përgjigja për çdo kërkesë dhe nevojë”, tha Rama.

 

 

 

Të fundit