Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama sulmon opozitën nga Durrësi: Janë të destinuar të degradojnë

Rama sulmon opozitën nga Durrësi: Janë të destinuar të
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një takim nga Durrësi në kuadër të platformës “Deputeti që duam” ka argumentuar se pse e meriton një mandat të tretë kjo qeveri.

Rama nuk ka kursyer as sulmet dhe ironinë për LSI-në, kur tha se e vetmja gjë e mirë që ka bërë është të mbështes punët e PS-së. 

"Nëse LSI ka bërë ndonjë punë të mirë, ka qenë pikërisht të mbështesë PS në punën që bënte, që thjeshtë të mos na dalë përpara dhe të na pengojë. Ndërsa sot janë bërë bashkë për të penguar Shqipërinë dhe për ta kthyer mbrapa, aty ku janë ata. Ata janë të humbur, ata janë të destinuar të degradojnë siç kanë filluar të degradojnë thellë e më thellë.

Sepse shumica e shqiptarëve kurrë nuk mund t’i mbështesë ata. Por ne jemi këtu se kemi nevojë të përmirësohemi, të krijojmë më shumë mundësi për të rinj dhe të rejat. Ne jemi këtu t’i themi hajdeni, bujrum, hajdeni dhe na thoni që pse doni të jeni pjesë e skuadrës së 2021-shit dhe pse, çfarë ju shtyn?

Më tej, kryeministri u ndal tek procesi i rindërtimit, kur tha se "askush nga qytetarët, qoftë në zonat rurale por edhe urbane, nuk ka asnjë shanc të marrë atë që i takon nëse puna e qeverisë së tij ndërpritet këtu".

"Nuk ka nevojë që të mundosh veten me si mund të jenë këta të tjerët nëse vijnë në pushtet, mjafton të kujtohesh se janë po ata.

Me 1000% nuk ka asnjë shans që kush do të marrë shtëpinë e re në zonat rurale, apo apartamentin e ri gjatë viteve që vijnë në zonat urbane, të mund të marrë atë që i takon në kohë dhe me cilësi nëse kjo punë ndërpritet këtu dhe nëse atyre u jepet mundësia që të arrin stafetën.

Një numër shumë më i vogël se ato të prekurit nga tërmeti dhe një shumë më e vogël se ajo që është vënë në administrim për tërmetin, një përmbytje jo e vogël në Shkodër që la mijëra familje në një situatë të vështirë dhe ata u angazhuan se do jepnin dëmshpërblimin dhe një histori pa fund që u mbyll me dëmshpërblimet që u dhamë ne.

Nëse ne nuk do të kishin marrë detyrën ato nuk do i kishin marrë kurrë paratë, ashtu si kundër nëse ne do të kishim marrë detyrën invalidët dhe personat me aftësi të kufizuar nuk do i kishin marrë në kohën kur shteti ua kishte borxh", tha Rama.

Të fundit