Flash News

Ditari i Maxhorancës

Shkarkimi i Metës, Balla: Për Presidentin e ri do bashkëpunojmë me opozitën

Shkarkimi i Metës, Balla: Për Presidentin e ri do

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Në një prononcim për gazetarët nga Kryesia e Kuvendit, ai tha se për zgjedhjen e emrit të ri në krye të institucionit më të lartë në vend, do të bashkëpunohet me opozitën. Balla tha se procedura do të kërkojë kohë dhe se çështja do të adresohet në Kuvendin e ri në shtator.

“Kryetari Rama ka qenë shumë i qartë. Ajo që është e nevojshme dhe që duhet të kuptojmë është se PS nuk e ka nisur procedurën e shkarkimit të Presidentit aktual si nevojë për të pasur një përfaqësues të vetin në institucionin e presidencës, por iniciativa për shkarkim ka ardhur si nevojë për të çliruar presidencën nga një pengmarrje.

Procedura për zgjedhjet e presidentit të ri do kërkojë kohën e vet, dhe pse jo të jetë pjesë e një pakete bashkëpunimi me opozitën e re, që do të rikthehet në Kuvend më 9 shtator. Me opozitën e legjislaturës së re do të kemi mundësi që këto çështje t’i adresojmë së bashku", tha Balla.

I pyetur për betimin e ministrave të rinj në Presidencë, Balla tha se Meta është  i detyruar të thërrasë seancën e parë plenare në fund të muajit gusht, dhe se nëse nuk vepron kështu, shtoi ai, Kuvendi do të mblidhet vet.

“Kushtetuta duhet të zbatohet nga të gjithë. Ju e dini që Presidenti në fund të muajit gusht është i detyruar të thërrasë seancën e parë të Kuvendit. Nëse nuk e ushtron këtë brenda afatit, Kuvendi mblidhet vetë dhe në vlerësimin tim, Kuvendi i bie të mblidhet më 9 shtator, ku procedura e parë është verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj, pastaj zgjedhja e kryetarit, dhe së fundi votimi në seancë plenare i përbërjes së këshillit të ri të ministrave dhe i programit”, tha Balla.

 

Të fundit