Flash News

Ditari i Maxhorancës

Shqipëria merr sot presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mesazhi i Ramës nga New York

Shqipëria merr sot presidencën e Këshillit të Sigurimit

Shqipëria ka marrë sot presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, stafetë të cilën do e mbajë për 30 ditë. Përmes një video-mesazhi në Facebook nga New Yorku, kryeministri Edi Rama renditi disa nga situatat që kanë tronditur rendin global.

Ai u shpreh se është i nevojshëm reagimi urgjent, duke bërë me dije se Shqipëria do të kryesojë nesër mbledhjen e KS me temë “Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare”.

Më 11 qershor të vitit të kaluar, vendi ynë u pranua si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Shqipëria u pranua anëtare e OKB në 14 dhjetor 1955 dhe pas 66 vitesh anëtarësie, u votua për herë të parë për të qenë anëtare në Këshillin e Sigurimit.

Ky Këshill përbëhet nga 15 anëtarë, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme kurse 10 vendet e tjera anëtare janë me një mandat dy vjeçar.

Mesazhi i Ramës

Kjo është dekada e tretë e mijëvjeçarit të tretë. Bota është e trazuar dhe ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të mizorive të papërshkrueshme, në më shumë se pesëdhjetë konflikte përreth globit. Demokracia dhe të drejtat e njeriut po sprovohen rëndë në anë të ndryshme të botës.

U bë shumë gjatë që shohim abuzime masive me të drejtat e njeriut, nga Darfuri në Mianmar, nga Afganistani në Siri dhe bashkësia ndërkombëtare po lufton t’i vendosë autorët e krimeve të rënda para përgjegjësisë.

Në Europë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura. Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla. Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.

Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta, por edhe për ne, të gjithë, për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë, për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh.

Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, pjesën tonë për të përmbushur.

Kjo është arsyeja pse ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë në presidencën e saj të parë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të kem nderin të kryesoj më 2 qershor, i kushtohet “Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare”.

Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë më të lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit. Shqipëria e promovon atë kombëtarisht dhe e mbron ndërkombëtarisht.

Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim.

Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort.

Të fundit