Flash News

Ditari i Maxhorancës

Tre konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së pas rivendosjes së pezullimit të Ballukut

Tre konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së pas
Grupi Parlamentar Socialist ka zhvilluar një mbledhje pas mosmarrjes së një vendimi nga Gjykata Kushtetuese dhe rivendosjes së masës së pezullimit ndaj ministres, nga e cila kanë dalë tre konkluzione kryesore lidhur me funksionimin e institucioneve dhe balancën e pushteteve.

Së pari, u theksua se funksionet kushtetuese të padelegueshme, qofshin ato të një anëtari të qeverisë, Presidentit të Republikës apo funksioneve të tjera të përcaktuara në Kushtetutë, nuk mund të pezullohen nga askush mbi bazën e një emri përveçëm. Sipas grupit parlamentar, pezullimi i funksionit paralizon drejtpërdrejt institucionin që ai përfaqëson dhe përbën një precedent të rrezikshëm për funksionimin normal të shtetit.

Së dyti, duke iu referuar edhe deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku anëtarët e saj shfaqën një qëndrim unanim mbi ekzistencën e problemit, por jo mbi zgjidhjen, Grupi Parlamentar Socialist njoftoi se do të angazhohet për ta adresuar çështjen përmes ndërhyrjeve në legjislacion. Qëllimi, sipas tyre, është qartësimi i kuadrit ligjor për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

Së treti, u vlerësua se e vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i masës së pezullimit është SPAK-u, i cili në kushtet e pezullimit mund të vijojë pa pengesa hetimin përkatës. Në këtë kuadër, u theksua se deri në momentin e adresimit ligjor të zgjidhjes, nuk ekziston asnjë urgjencë për trajtimin e kërkesës së bërë nga SPAK-u pas rënies së përkohshme të masës së pezullimit.

Në të njëjtën kohë, Grupi Parlamentar Socialist ka ritheksuar se SPAK-u nuk cenohet, por vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çdo çështje dhe çdo individ mbeten të paprekura dhe të garantuara, ashtu si edhe pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, të cilat, sipas grupit, nuk preken, por vetëm përforcohen.

 

Të fundit