Flash News

Ditari i Opozitës

A do të rikandidojë sërish Basha për kryetar të PD?

A do të rikandidojë sërish Basha për kryetar të PD?

Lulzim Basha dha dorëheqjen si kryetar i PD.

“Kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët.

Kjo nuk është një tërheqje për rehati personale, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje se kjo që ka ndodhur këto 6 muaj është bërë për karrigen e kryetarit”, tha Basha ndër të tjera në fjalën e tij.

Gjithashtu në fjalën e tij u shpreh se ai do të vazhdojë të jetë i angazhuar në PD. Ai tha se në PD duhet të zhvillohet një analizë e brendshme dhe më pas zgjedhje të reja.

“Ndaj dua sot t’i them kujtdo që ka besuar dhe beson se PD duhet të shohë drejt të ardhmes, se unë jam dhe do jem tërësisht i angazhuar krah jush, do jem zëri juaj, nuk do ta braktis kurrë sakrificën tuaj, nuk do lodhem kurrë për t’u shprehur mirënjohjen, për sakrificat, mundin dhe kontributin tuaj, dhe me vendosmëri do bëj gjithçka, që ato të mos shkojnë dëm, por ti japin forcë vizionit tonë për një Parti Demokratike që zgjedh të ardhmen dhe i prin rrugës së shqiptarëve drejt saj”, tha Basha.

Por, a do të rikandidojë sërish në PD? Kësaj pyetje Basha iu shmang kur u pyet nga gazetarët, pasi la selinë e PD në përfundim të mbledhjes dhe u largua në këmbë drejt Rrugës së Elbasanit.

“Bashkë do të komunikojmë në ditët në vijim”, tha Basha, duke nënkuptuar lëvizje të tjera të tij.
Vendimi i Bashës për t´u tërhequr një hap pas vjen pas presionit të shtuar ndaj tij nga pjesa më e madhe e deputetëve të PD, të cilët deri në 6 mars, datë kur u mbajtën zgjedhjet e pjesshme vendore, ishin në krah tij, në përplasjet që kishte me ish-Kryeministrin Sali Berisha.

Të fundit