Flash News

Ditari i Opozitës

Afera e inceneratorëve, PD nxjerr fakte të reja: Kompania 'e lidhur' me Veliajn, ka miratuar faturat. Do e kallëzojmë në SPAK

Afera e inceneratorëve, PD nxjerr fakte të reja: Kompania 'e

Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka publikuar fakte të reja mbi aferën e inceneratorëve.

Në një deklaratë nga selia blu, Këlliçi tha se PD do të publikojë dy dokumente: e para është kontrata e mbikëqyrjes së së punimeve me inceneratorin e Tiranës për vlerën 649.440 euro, dhe e dyta është kontrata për mbylljen e punimeve në inceneratorin e Fierit.

Këlliçi thekson se në bazë të dokumenteve, një kompani e quajtur “Ave Consulting”, ka për bashkëpronar Albert Dervishajn, emër ky sipas PD-së i lidhur me kryebashkiakun Veliaj.

Kjo kompani, shton deputeti, ka certifikuar edhe projekte të tjera në Tiranë, nga studimi për prishjen e Teatrit Kombëtar e deri tek dhurimi i projektit për Unazën e Re. Këlliçi publikon edhe të tjera fakte që e implikojnë shoqërinë në fjalë me projekte të ndryshme në Tiranë.

“Sot po publikojmë dy dokumenta autentike. E para është kontrata e mbikqyrjes së punimeve me inceneratorin e Tiranës në vlerën 649,440 euro dhe dokumenti i dytë është konfirmimi i kësaj kompanie për mbylljen e punimeve për inceneratorin e Fierit.

Pra, të nderuar qytetarë duhet të kuptoni se është pikërisht kjo kompani, “Ave Consulting”, e cila ka miratuar çdo faturë e situacion për këto kompani dhe ndërkohë ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e punimeve në inceneratorin e Fierit që në 31 mars të vitit 2021, e ndërkohë jemi në Korrik të vitit 2022 dhe inceneratori i Fierit, ende nuk është në punë dhe funksional.

 “Ave Consulting” është një emër që shumica prej jush nuk e ka dëgjuar kurrë. Bashkëpronar i saj është Albert Dervishaj, sipas informacioneve të shumta të Partisë Demokratike, me siguri një presta nome i lidhur me famëkeqin Erion Veliaj.

Njëlloj si ne rastin e inceneratoreve, me të tjerë prestanome, famëkëqinj dhe ata tashmë, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri. Por, afera e re as nuk fillon këtu dhe as mbaron këtu. “Ave Consulting” është kompania që ka certifikuar edhe projekte te tjera te zhurmshme në Tiranë, nga studimi per prishjen e Teatrit Kombëtar e deri tek dhurimi i projektit per Unazën e Re.

Te gjitha këto akuza, faktohen përmes Kontratës së sponsorizimit me nr. 3625/2 Prot, datë 25.05.2018 mes “Ave Consulting” shpk dhe ARRSH si dhe Kontratës me nr.42516/16 prot, datë 19.12.2019, lidhur mes Bashkisë Tiranë dhe një bashkimi operatorësh konsulentë, mes tyre dhe “Ave Consulting” shpk.

Kjo kompani ka bërë projektimin e segmentit "Pallati me Shigjeta - Rreth rrotullimi Shqiponja", për llogari të një kompanie private, përfituese tek projekti i “Unazës se Re”.

Sa për ilustrim të asaj se “Ave Consulting” nuk është marrë për ekspertizën e thellë, por për lidhjet politike në projektin e Unazës, ja edhe një fakt tjetër: Kompania nuk ka në organikë asnjë inxhinier gjeodet. Një profesionist i tillë nevojitet për studimin topografik të veprës. Për të mos i lënë shkas zhvendosjeve të rrugës gjatë zbatimit, sipas interesave të momentit”, deklaron Këlliçi.

Deputeti i bëri thirrje SPAK-ut të të mos miratojnë ‘të zezat’ e qeverisë Rama, teksa shtoi se dokumentet e publikuara sot do të depozitohen pranë Prokurorisë së Posaçme.

“Partia Demokratike i kërkon SPAK të lëvizë. Të gjithë ata që janë dëshmitarë të krimit dhe rrinë pasivë, kthehen në bashkëpunëtorë të heshtur. Thirrja jonë për SPAK është: mos u bëni miratues të heshtur të të gjithë të zezave që u kalojnë para hundës!  E nëse serish nuk keni ekspertizën e duhur për këto fakte që parashtruam, mjafton të thërrisni pronarin e “Ave Consulting” dhe ta pyesni se si dhe përse i miratoi këto investime dhe fatura fiktive.  Te gjitha informacionet e mësipërme dhe kontratat e publikuara, do t’i depozitojmë e do të vëmë në dijeni SPAK, në mënyrë që t’i ndihmojmë në zbardhjen e kësaj afere.

E nëse SPAK e ka me të vërtetë dhe i shkon deri në fund aferës së inceneratorëve dhe inceneratorit të Tiranës, atëherë përpara drejtësisë do të shihni Edi Ramën dhe Erion Veliajn të cilët do të përfundonin në burg”, përfundoi Këlliçi.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit