Flash News

Ditari i Opozitës

Alibeaj: Berisha është pjesë e parlamentit, nuk ka përjashtim. Kuvend nuk do të ketë

Alibeaj: Berisha është pjesë e parlamentit, nuk ka

Nënkryetari i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj u shpreh se vendimi për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, është i përkohshëm duke theksuar se ish-lideri demokrat është pjesë e parlamentit.

“Z. Berisha është pjesë e parlamentit. Ishte kërkesa nga SHBA, që bëri që kryetari të arrinte në këtë vendim për largimin e tij, dhe jemi në këtë lloj situate, ku Berisha është pjesë e parlamentit. Kishim situata deri rraskapitëse dhe tani jemi në këtë situatë. Nuk ka ndodhur kurrsesi asnjë lloj përjashtimi i Berishës. Është marrë një vendim nga kryetari i partisë, për një kohë të përkohshme. Ajo që ka ndodhur është se nuk do të jetë pjesë e grupit, derisa Berisha të sqarojë betejën e tij ligjore, siç e ka thënë dhe vetë Berisha që kjo është beteja e tij dhe nuk mund të jetë betejë e PD. Në të gjitha vlerat e ekzistencës së kësaj partie, është kursi i saktë, i qartë, i pandryshueshëm i partneritetit me aleancën euro-atlantike. Këtu besoj askush, dhe jo vetëm Basha apo Berisha, por çdo demokrat, nuk negocion asgjë. As vetë Basha nuk do donte t’i merrte vendime të tilla, aq radikale”, tha Alibeaj.

Ai rikonfirmoi edhe njëherë deklaratën e kryedemokratit Lulzim Basha se nuk do të ketë asnjë Kuvend të PD-së që do të marrë në shqyrtim vendimet amerikane. Alibeaj theksoi se fokusi i tyre është përqëndruar në tre gjëra: Rama si kundërshtar, situata aktuale e popullit dhe maskara zgjedhore e 25 Prillit.

“Ajo që mund të them është fakti, i kuptuar për këdo, se nëse ka një gjë që nuk do të ndodhë, është fakti që të mund të ndodhë në një mbledhje për një kërkesë për një Kuvend të PD, që të marrë në shqyrtim vendimin e SHBA. Kjo është bërë e qartë për këdo. Kjo parti, demokratët, kushdo tjetër, e ka në ADN e vet politike një nga komponentët më të rëndësishëm pikërisht që ekzistencën e vet PD, orientimi i qartë euro-atlantik i kësaj partie. Nuk ka përplasje mes palëve. Debate po. E para, ai që është kundërshtari ynë politik, por edhe i të gjithë shqiptarëve, është regjimi komunist i instaluar sot; së dyti, ajo që është situata që po e vuajnë sot gjithë shqiptarët. Kjo është një kauzë aq e madhe, që i bën bashkë të gjithë shqiptarët. Së treti, fakti që më 25 prill ky regjim ka vjedhur pushtetin”, deklaroi Aliebaj.

 

Të fundit