Flash News

Ditari i Opozitës

Basha akuza policisë dhe ish-liderit: Në veshët e tyre ushtonte zëri i vëllait të Berishës, Edi Ramës

Basha akuza policisë dhe ish-liderit: Në veshët e tyre ushtonte

Kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se PD ka shkëputur sot lidhjet me ish-liderin Sali Berisha. Ai tha për mbështetësit e këtij të fundit se u përdorën "si mish për top".

Duke hedhur akuza ndaj Berishës, Basha e quajti ish-liderin, vëllanë siamez të kryeministrit Edi Rama. Sipas Bashës, Berisha i shërben Ramës.

"Në një ditë si kjo, Sali Berisha i ka bërë kësaj partie dëmin më të madh. Por edhe i ka dhënë demokratëve mundësinë më të madhe për t’u shkëputur njëherë e mirë nga trashëgimia e tij e zezë. Vula e kësaj trashëgimie do të mbetet 8 janari. Demokratët e vërtetë e refuzuan dhunën e Sali Berishës, me një grusht njerëzish që e shoqëronin, dhe e panë se kishin ardhur për t’u përdorur si "mish për top" për hallet e Berishës.

Berisha është rikthyer në shtratin e bolshevizmit, dhunës, mashtrimeve, propagandës. Sot e tutje edhe më shumë se vendimet e 18 dhjetorit dhe Këshillit Kombëtar, PD ka treguar se di të ndahet nga e shkuara dhe të lëvizë drejt së ardhmes. Sot u shpalos fakti se Sali Berisha dhe Edi Rama janë dy vëllezër siamezë. Në këtë mënyrë ai kërkon ti bëjë shërbimin më të mirë Edi Ramës", tha Basha.

Ky i fundit u pyet nga gazetarët për sjelljen e policisë, e cila tha se shkoi në PD pasi u njoftua nga drejtuesit e kësaj partie. Ai shprehu mirënjohje për efektivët, por drejtuesit e tyre i konsideroi "vegël" të qeverisë.

“Punonjësit e policisë meritojnë përgëzime, por drejtuesit e tyre treguan se janë vegla të partisë shtet. Me urdhër të Edi Ramës pritën për një orë e gjysmë për të mbërritur, pasi kishin folur kancelaritë kryesore. Çfarë po ndodhte këtu ishte në sytë e gjithë botës, por jo të policisë, pasi në veshët e tyre ushtonte zëri i vëllait të Berishës, Edi Ramës”, u shpreh kryedemokrati.

 

Të fundit