Flash News

Ditari i Opozitës

Basha me të rinjtë: Drejtësia duhet të jetë armë kundër korrupsionit, realizohet duke ia hequr nga duart partisë në pushtet

Basha me të rinjtë: Drejtësia duhet të jetë armë

Kryetari i PD, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me një grup studentësh të Fakultetit të Drejtësisë, të cilët ndanë pikëpamjet e tyre për çështjet më të rëndësishme të drejtësisë në Shqipëri, si dhe problematikat e arsimit në përgjithësi.

Studentët i thanë shefit të opozitës se mundi i tyre, shpenzimet e familjes për vitet e shkollës po shkojnë dëm, pasi në përfundimin e studimeve universitare, kanë pamundësi për të hyrë në tregun e punës.

Por për kryetarin e PD, ikja nuk është zgjidhja e duhur. Basha ftoi studentët dhe të rinjtë shqiptarë që të luftojnë për të qëndruar në vendin e tyre dhe të bashkohen që të pamundësojnë të keqen, që i shtyn shqiptarët të ikin nga vendi i tyre. 

“Asgjë s’të bëhet si vendi yt. Sot në këto kushte, mund të duket se ajo është një zgjidhje dhe ndoshta mund të jetë edhe një zgjidhje afatshkurtër, por nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje afatgjatë të largohesh nga vendi yt, nga familja jote, nga shoqëria. Beteja kryesore e imja është që të pamundësojmë këtë pengmarrje të Shqipërisë, që i shtyn njerëzit drejt largimit dhe po i shtyn në veçanti të rinjtë drejt largimit të dëshpëruar”, - apeloi Basha te të rinjtë. 

Sipas Bashës, drejtësia duhet të jetë armë kundër korrupsionit dhe kjo realizohet vetëm duke ia hequr drejtësinë nga duart partisë në pushtet.

“Sa kohë që qeveria, kryeministri, pushteti investon gjithçka që mos të dalë para drejtësisë, mos ti japin përgjegjësi, si mund të ketë drejtësi?! Investimi i parë që reforma në drejtësi të ketë sukses është ndërrimi i pushtetit sepse ajo në vetvete do të plotësojë një nga kushtet bazë që ju e mësoni që në orët e para të së drejtës kushtetuese, që është ndarja dhe balancimi i pushteteve. Sa kohë që drejtësia është në kontrollin e legjislativit dhe ekzekutivit çfarëdo që të bësh, përpjetë të hidhesh, nuk ka për të patur drejtësi por ka për të patur korrupsion, pandëshkueshmëri. Por korrupsionin dhe faturën do ta paguajnë qytetarët, faturën do ta paguajnë prindërit tuaj, faturën do ta paguani ju.

U deshën 3 vjet të plotësoheshin vakancat në Gjykatën Kushtetuese, që sigurisht është një lajm i mirë por shumë i vonuar dhe reforma në drejtësi që të ketë sukses ka nevojë pikërisht për pasionin, pastërtinë dhe idealizmin e rinisë. Shumëkush thotë që drejtësia u kap nga partia në pushtet, kjo është një arsye më shumë që më 25 Prill të ndahemi nga partia në pushtet, sepse e dimë që me qeverinë e ardhshme, të paktën drejtësia nuk do të jetë pronë e qeverisë, dhe kjo siç e dini ju është një nga garancitë e shtetit të së drejtës: ndarja edhe balancimi i pushteteve “trias politika”. Askush nuk do të mund ta akuzojë qeverinë e ardhshme se e ka marrë peng drejtësinë, por ne do ta shtyjmë, do ta stimulojmë që të bëjë detyrat e saj, duke nisur me luftën kundër korrupsionit, duke bërë shembuj konkretë që ta zmbrapsim këtë bilanc të tmerrshëm: 7.2 miliard euro në 7 vite. Faturë e papërballueshme edhe nga vende me ekonomi 10 herë më të mëdha se tonat. Dhe kjo është arsyeja pse nga brezi i juristëve që po trajnohen sot patjetër t’i nxisim, t’i inkurajojmë që të jenë pjesë e kësaj lufte kundër korrupsionit, qoftë në sektorin publik ku të jeni të sigurt që meritokracia do të jetë kriteri bazë i punësimit, qoftë në sektorin privat ku po kështu pasja e juristëve, avokatëve, përfaqësuesve ligjorë është jo vetëm garanci për të drejtat e subjektit, të drejtat e njeriut , të drejtat e qytetarit por edhe një garanci për një proces të drejtë ligjor dhe për mbrojtjen në tërësi të ligjit, kushtetutës, pasurive, pronave, të lirive themelore të qytetarëve”, - tha Basha

Basha u tregoi studentëve të drejtësisë edhe planin për arsimin ku garantoi se nesër me PD në qeverisje “nuk do ketë asnjë bijë dhe asnjë bir shqiptari që do mbetet pa universitet për shkak të pamundësisë ekonomike të familjes, sepse nga njëra anë të gjithë të rinjtë që vijnë nga familje më të ardhura me më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të përfitojnë 100% subvencionim të tarifës bachelor dhe master, dhe nga ana tjetër shpenzimet shtesë ku një pjesë gjithmonë e me e madhe e familjeve shqiptare nuk i përballojnë dot për fëmijët e tyre, siç mund të jetë qeraja e banesës apo e konviktit, shpenzimet e përditshme që ka studenti, shpenzimet e tjera , librat, transporti etj etj, do mbulohet përmes bursave për këto familje që nuk kanë mundësi t’i mbështesin financiarisht fëmijët e tyre”.

Të fundit