Flash News

Ditari i Opozitës

“Bashkimi vetëm për zgjedhje është kurth”/ Këlliçi dhe Agalliu flasin për Politiko

“Bashkimi vetëm për zgjedhje është kurth”/

Në prag të zgjedhjeve lokale, demokratët dhanë sinjale bashkimi. PD e drejtuar nga Sali Berisha do të negociojë me grupin e Enkelejd Alibeajt, në mënyrë që të dalin me një kandidat të përbashkët.

Të dyja palët flasin për negociata pa kushte. Në një prononcim për Politiko, deputetët Belind Këlliçi dhe Arbi Agalliu kanë folur më shumë rreth bisedimeve që do të zhvillohen mes demokratëve.

I pyetur mbi mënyrën se si do të ndodhë bashkëpunimi, Këlliçi vlerësoi të rëndësishme që bashkimi të mos jetë për interesa elektorale. Ai shtoi se nëse grupi i Alibeajt pret vendimin e gjykatës për të bashkëpunuar, kjo do ta dëmtonte PD-në.

“Bashkimi i deputetëve në një qëndrim duhet bërë së pari për respekt të demokratëve dhe zgjedhësve që na kanë votuar, e jo për interesa elektorale të momentit. Ky është parim dhe jo mekanizëm.

Nëse kolegët e fraksionit Alibeaj presin vendimin e gjykatës për të bashkëpunuar, si deri në tani, atëherë me keqardhje them se kjo do të dëmtonte PD dhe do të bëhej një pengesë më shumë për të kapërcyer.

Në PD ka një realitet tjetër. Ekskluziviteti i emërimit ka rënë. Sovraniteti i anëtarësisë është i panegociueshëm. Strukturat e reja janë zgjedhur me votë. Këto ndryshime pozitive nuk negociohen. Çdo përpjekje që kërkon të na kthejë mbas nuk do ia lehtësojë punën PD. Prandaj bëj thirrje për bashkëpunim të sinqertë dhe jo shkopinj në rrota”, tha Këlliçi.

Ky i fundit shtoi se hapësirat për bashkëpunim duhen shtuar.

“Shumica e kolegëve nuk janë rreshtuar dhe nuk kanë nxituar të bëjnë deklarata fataliste për procesin e rithemelimit. Kanë shfaqur respekt ndaj ndjeshmërive të militantëve. Mendoj se kemi dakordësinë për të mos radikalizuar qëndrimet tona. Hapësirat për bashkëpunim duhen shtuar”, u shpreh Këlliçi.

Deputeti është pro një bashkëpunimi afatgjatë, ndërsa bashkimin vetëm për zgjedhje e quan një kurth për të dëmtuar fushatën e PD së rithemeluar.

“Bashkëpunimi vetëm për zgjedhje është, në mendimin tim, një kurth për të dëmtuar fushatën e PD së rithemeluar në sfidën e saj të parë dhe të plotë elektorale.

Bashkëpunim për të sjellë fitoren pas kaq shumë vitesh në PD, për të sjellë demokratët në pushtet, për të  larguar Edi Ramën dhe jo për t'u bërë patericë e tij. Ky është bashkëpunimi që presin të gjithë qytetarët dhe demokratët në vend”, nënvizoi deputeti.

Ndërsa Agalliu, i pozicionuar në grupin e Alibeajt tha se ky është vetëm hapi i parë, duke shtuar se çështjet teknike do të diskutohen në vijm.

Ai theksoi se bashkimi i demokratëve është një detyrim moral. Më tej shtoi se me PD-në e Berishës është vendour një pikë kontakti dhe jo individë me të drejta negociuese për të shkëmbyer mendime.

“Situata brenda PD-së është e qartë, ku ka dy kampe, dy grupime kolegësh mbi të gjitha dhe kjo është e rëndësishme për t’u përmendur. Ka një qëllim të vetëm dhe shpresoj të jetë i vërtetë, rrëzimin e kësaj qeverie.

Në këtë kontekst, bashkëpunimi është një lloj detyrimi moral ndaj gjithë demokratëve dhe shqiptarëve për të ndryshuar pushtetin nga duart e Edi Ramës, për të kaluar në duart e qytetarëve dhe opozitës, të cilës realisht sot shumica e qytetarëve e beson.

Në këtë kontekst ne si grup parlamentar jemi mbledhur dje dhe kemi diskutuar, ku kemi vendosur një pikë kontakti, jo individë me të drejta negociuese për të shkëmbyer mendime mbi mundësinë e bashkëpunimit dhe për të dalë me një kandidat të përbashkët.

Do të shohim më tej sesi do të shkojë ky proces. Patjetër ky proces nis pa kushte dhe kufizim nga të dyja palët. Realitet janë këto që janë, duhet abstraguar në këtë moment për të nxjerrë kandidatët e përshtatshëm për çdo bashki.

Nuk dua të ndalem në çështje teknike, sepse është vetëm hapi i parë. Është hap për t’u përshëndetur nga të gjitha palët. Çdo gjë tjetër është teknike që do të diskutohet dhe vendoset në grupin parlamentar dhe më pas në vendimarrjen që iu takon strukturave të organizimit të PD”, tha Agalliu.

 

Të fundit