Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut: Të dhënat e sigurisë kombëtare kanë rënë në duart e bandave

Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës dhe Ballukut: Të

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i akuzuar për bllokim të drejtësisë, abuzime masive me fondet publike dhe rrezikim të sigurisë kombëtare.

Në një deklaratë publike, Berisha tha se çdo ditë që kalon po rrit zemërimin dhe revoltën e qytetarëve shqiptarë, të cilët, sipas tij, janë të vendosur t’i largojnë nga pushteti ata që i cilësoi si “hajdutë që kanë tejkaluar çdo vjedhje të bërë në 113 vite shtet shqiptar”.

Berisha akuzoi Ramën për bllokim të drejtësisë, refuzim për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut, si dhe për ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, këto veprime përbëjnë aktet më të rënda dhe më të paprecedenta në historinë e shtetit shqiptar dhe një poshtërim të hapur ndaj qytetarëve.

Kreu i PD-së theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi kryeministrin Rama, duke pretenduar se ndërsa në veprat publike janë shpërdoruar miliarda euro, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka funksionuar si “ndërmarrje private e familjes Rama”, jashtë çdo kontrolli institucional.

Berisha deklaroi se dosja e AKSHI-t nuk lidhet vetëm me vjedhje të qindra milionë eurove, por përbën, sipas tij, një nga skandalet më të rënda të sigurisë kombëtare, pasi të dhënat sensitive të Shqipërisë dhe ato të NATO-s kanë kaluar në duart e bandave kriminale dhe armiqve të vendit.

Ai shtoi se në këtë dosje përfshihen edhe akuza për pengmarrje të biznesmenëve dhe përfshirje në monopole të paligjshme, duke përmendur raste konkrete dhe duke akuzuar qeverinë për mbrojtje të grupeve kriminale.

Në përfundim, Berisha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Ramës dhe Ballukut, duke theksuar se sipas tij, vetëm largimi i tyre nga pushteti mund të hapë rrugën për drejtësi dhe rikthim të rendit kushtetues në vend.

 

 

Të fundit