Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha kritika në Këshillin Kombëtar: Bashkëpunëtorët e mi bëjnë takime, nuk janë përcjellë siç duhet. Të mblidhet Kryesia

Berisha kritika në Këshillin Kombëtar:

Kreu i PD, Sali Berisha ka folur me nota kritike në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD.

Berisha ka kërkuar nga demokratët një angazhim më të madh në nivel seksioni pasi sipas tij potencialet janë të jashtëzakonshme, por duhen shfrytëzuar.

“Bashkëpunëtorët e mi po bëjnë takime, por nuk janë përcjellur në nivele siç duhet. Ne kemi nevojë emergjente.

Po t’u bëj një pyetje, ju i keni ndjekur foltoret dhe takimet.

U them unë ju, që elementi më spikatës, më i rëndësishëm i tyre janë fjalët e atyre qytetarëve dhe atyre demokratëve. Nuk janë fjalët e mia. Janë një mori çështjesh.

A e shihni sa bukur flasin ata? Çfarë dua të them me këtë? Potencialet i kemi të jashtëzakonshme, por duhet t’i shfrytëzoni.

Po çfarë të deleguari doni ju më shumë se atë mjeken, e cila në tre minuta, i bëri radiografinë sistemit në mënyrën më të shkëlqyer. E dëgjuat çfarë oratoreje. Çfarë misionareje doni më shumë se atë mësuesen që denoncoi atë që po bëhet në arsim.

Ne kemi me qindra e mijëra oratorë, që duhet t’i mobilizojmë si misionarë. Ne duhet të jemi misionarë. Dhe misionarët kanë forcën e fjalës. Bindin me fjalë.

Unë personalisht e kam vlerësuar jashtë mase fjalën e demokratëve në takime. Shoh një nivel politik të shkëlqyer. Ata flasin sikur të jenë analistë, sikur të jenë politologë.

Të gjithë këtë e thashë se kemi potenciale të mëdha, por urdhëroni t’i shpalosim”, tha Berisha.

Gjatë fjalës, Berisha tha se është e domosdoshme që pas kësaj mbledhje, krerët e degëve të mbledhin kryesinë.

“Duhet të jemi realist. Për të qenë realist, duhet të njohim realitetit. Është e domosdoshme që pas kësaj mbledhje, krerët e degëve të mbledhin kryesinë dhe të bëjnë një plan të detajuar pune për të gjithë aktivitetin dhe takimet në nivel seksioni dhe grup-seksioni.

Të deleguarit i keni ju. Po çfarë doni më shumë se fjalën e një mjeku, një inxhinieri, një pensionisti.

Bashkë me ta të shkojnë, të takojnë, të trokasin, të verifikojnë. Mos të harrojmë se në zgjedhjet e fundit ne kemi pasur dhjetëra qendra votimi pa komisionerë. E turpshme, një parti kombëtare që nuk nxjerr dot komisionarë”, tha Berisha.

Të fundit