Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha rrëfen vitet e formimit: Nga dimrat e vështirë në Tropojë tek ëndrra e Moskës

Berisha rrëfen vitet e formimit: Nga dimrat e vështirë në

Në rrëfimin e tij në emisionin “Elevate”, Sali Berisha u ndal edhe tek vitet e shkollimit në Tropojë, duke përshkruar me detaje jetën e një fëmije që çdo ditë përshkonte rrugë të gjata për të mësuar.

“U ktheva në Tropojë dhe vazhdova shkollën. Ishte një shkollë njëkatëshe, me klasa të mëdha të shtruara me dërrasa, me fushë futbolli dhe volejbolli”, kujtoi Berisha, duke shtuar se distanca nuk ishte e vogël.

Sipas tij, rruga drejt shkollës zgjaste rreth 40 minuta nga shtegu i shkurtër dhe mbi një orë nga rruga automobilistike, por pavarësisht vështirësive, dëshira për të mësuar nuk mungonte.

“Ia dilnim çdo ditë. Dimrat ishin problem, borë, shi, të ftohtë të madh. Ndonjëherë ndonjë i rritur na hapte rrugën, sepse kishte vështirësi”, tha Berisha, duke përshkruar sakrificat e asaj kohe.

I pyetur nëse shkonte me qejf në shkollë pavarësisht kushteve, përgjigjja e tij ishte e prerë: “Çdo ditë”.

Ai tregoi se pas përfundimit të shkollës kishte fituar reputacion si nxënës i përkushtuar, i apasionuar pas leximit dhe recitimit.

“Kisha krijuar një emër si nxënës që lexoja shumë dhe recitoja bukur. Me një shok ndalonim shpesh dhe recitonim bashkë”, kujtoi ai.

Pas mbarimit të shkollës, Berisha u njoftua se do të dërgohej me bursë në Bashkimin Sovjetik për të studiuar diplomaci, një lajm që, sipas tij, e kishte gëzuar shumë në fillim.

“Fillova menjëherë të mësoja rusisht. Kisha një mik dy vjet më të madh që e dinte gjuhën dhe u përgatita se do shkoja në Moskë”, tregoi Berisha.

Megjithatë, kjo ëndërr zgjati pak. Vetëm dy javë më vonë, ai u njoftua se bursa i ishte kaluar dikujt tjetër. Edhe pse një zhgënjim, Berisha thotë se nuk u mërzit shumë.

“Në atë fatkeqësi tonën të madhe, Kosovën e pushtuar ia atribuonin Moskës. Nuk kisha një ndjenjë të madhe për të shkuar atje”, u shpreh ai, duke treguar se rruga e tij do të merrte një drejtim tjetër.

Të fundit