Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Shqipëria ecën çdo ditë e më shumë në drejtimin e gabuar, koha t’i dalim zot vendit

Berisha: Shqipëria ecën çdo ditë e më shumë

Kreu i PD, Sali Berisha thotë se Shqipëria ecën çdo ditë e më shumë në drejtimin e gabuar, pasi shqiptarët largohen çdo ditë e më shumë nga vendi.

Nga Libohova ku po zhvillon një takim me banorët e zonës, Berisha thotë se qeveria me vjedhjet, abuzimet dhe shpërdorimet që bën, rrënon ekonominë e familjeve shqiptare.  

“Unë vij këtu sot te ju, në një moment, në një udhëkryq të vërtetë për Libohovën, Gjirokastrën dhe mbarë Shqipërinë. Vij në një moment kur para syve tanë, Shqipëria ecën çdo ditë e më shumë në drejtimin e gabuar. Para syve tanë, shqiptarët largohen çdo ditë e më shumë nga vendi. Para syve tanë, varfëria, skamja bëhen gjithnjë e më problem për shqiptarët.

Vij këtu, kur vendi ka një qeveri, e cila nuk përpiqet të fshehë me asgjë arrogancën e saj ndaj qytetarëve. Përçmimin e vërtetë që ka për qytetarin, interesat e tij dhe problematikat e tij. Një qeveri që mbulon çdo akt të papërgjegjshëm të saj me mashtrimin.

Por mbi të gjitha, një qeveri që me vjedhjet, abuzimet dhe shpërdorimet që bën, rrënon ekonominë e familjeve shqiptare”, u shpreh kreu i PD.

Berisha u bën thirrje të rinjve, grave dhe vajzave që t’i dalin zot vendit, qoftë për një fushatë elektorale model, por qoftë edhe për protestat më të fuqishme.

“Ka një kohë për çdo shqiptar që duhet t’i dalë zot vendit. Ne shohim se si po tretemi, po na ikin të rinjtë, po na ikën e ardhmja. Ndaj po e filloj me të rinjtë.

Në këtë betejë, ju bëj thirrje të dilni në krye të përpjekjes, qoftë për një fushatë elektorale model, por qoftë edhe për protestat më të fuqishme.

Ne kemi një detyrim të madh ndaj njëri-tjetrit, ndaj vendit, ndaj trashëgimisë tonë atdhetare, të ndalojmë këtë rrokullisje të madhe.

Energjia e të rinjve, angazhimi i të rinjve është vendimtar në këtë përpjekje.

Ndaj edhe ftoj forumin rinor, të rinjtë e Libohovës, Gjirokastrës dhe Shqipërisë, të bëjnë gjithçka për të bërë Shqipërinë kopshtin e ëndrrave të tyre të ardhme.

Por duhet të shpëtojnë nga ky regjim. U bëj thirrje grave dhe vajzave. Dëgjoj me interes shumë të madh zërin e tyre. Të cilat me guxim po denoncojnë në të gjitha takimet, qëndrimet çnjerëzore dhe antishqiptare të kësaj qeverie. Të vazhdojnë sepse zëri i tyre është zëri më bindës në shoqëri. Ata kanë argumente më shumë se kushdo për të bindur qytetarët që nuk janë shkëputur nga apatia, nuk janë shkëputur nga mashtrimi i kësaj qeverie. Kjo është një betejë jetike për të ardhmen tonë.

Ndaj dhe ju ftoj të bëjmë gjithçka për të tërhequr, për të bindur sa më shumë libohovitë, gjirokastrite, shqiptarë, që të mbështesin kauzën tonë të drejtë”, tha Berisha.

Të fundit