Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha tregon se kur do të mbahet protesta e parë kombëtare

Berisha tregon se kur do të mbahet protesta e parë kombëtare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita nuk do ta bojkotojë parlamentin, por do të vijojë betejën edhe brenda tij, përballë asaj që e cilësoi si “dhunë të pandërprerë dhe mbyllje të gojës së opozitës”.

Berisha theksoi se opozita do të reagojë me mjete adekuate si në komisione, ashtu edhe në sallën plenare, ndërsa paralajmëroi mbajtjen e protestës së parë kombëtare shumë shpejt.

Berisha e cilësoi mazhorancën aktuale si “mazhorancën e zgjedhjeve të vjedhura”, duke akuzuar qeverinë se ka përdorur “të gjithë potencialin ekzekutiv, shtetëror, financiar e mediatik” për të ndikuar në votë.

Ai theksoi gjithashtu se përpjekja e opozitës për të kthyer parlamentin në një tribunë të fjalës së qytetarëve has në “absurditetin dhe banditizmin e paprecedent parlamentar”, duke përmendur se qeveria, programi dhe buxheti janë miratuar “pa asnjë debat”.

Berisha: Kjo nuk do të thotë bojkot i parlamentit, jo.
Por kjo do të thotë se opozita do zhvillojë betejë edhe brenda parlamentit.
Ajo ka të gjithë potencialin, të gjithë trashëgiminë dhe kësaj dhune të pandërprerë, kësaj mbyllje goje të opozitës në parlament, ajo do i përgjigjet me mjete adekuate, si në komisione, ashtu edhe në sallën e parlamentit.
Së pari.
Së dyti, kjo është opozita e votës së dhunuar.
Kjo është mazhoranca e zgjedhjeve të vjedhura.
Protestat kombëtare janë tejet të vonuara dhe së shpejti do komunikojnë para jush protestën e parë kombëtare dhe pastaj në vazhdim, ku ftojmë të gjithë ata qytetarë që janë të gatshëm të luftojnë për votën e lirë kundër një regjimi që e ka konfiskuar atë, e ka vjedhur atë.
Kundër një regjimi që ka përdorur të gjithë potencialin ekzekutiv, shtetëror, financiar, logjistik, mediatik për të blerë, për të influencuar, për të ndikuar dhe për t’u marrë votën shqiptarëve.
Përpjekja jonë për të transformuar parlamentin në një tribunë të fjalës së qytetarëve dhe interesave të tyre, has në absurditetin, në banditizmin e paprecedent parlamentar në historinë e vendit.
Qeveria u miratua pa debat.
Programi i saj pa debat.
Buxheti dje pa debat.
Të gjitha pa debat.
Atëherë ne do hapim platformën parlamentaro-qytetare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave si hap i parë.
Por ne ndaj këtij regjimi jemi të vendosur të qëndrojmë me të gjithë potencialin dhe forcën tonë.
Ne nuk nënshtrohemi.

Të fundit