Flash News

Ditari i Opozitës

Boçi kritikon masat për çmimin e naftës: Rama do të largojë vëmendjen nga skandalet

Boçi kritikon masat për çmimin e naftës: Rama do të

Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka folur për rritjen e çmimit të naftës në tregun shqiptar dhe rikthimin e Bordit të Transparencës nga qeveria.

Në një lidhje direkte për Syri Tv, Boçi u shpreh se me masat që njoftoi pak ditë më parë, Rama synon të zhvendosë vëmendjen nga skandalet dhe raporti i tij me drejtësinë.

Sipas deputetit demokrat, ndërhyrja e qeverisë është e pamjaftueshme pasi duhen masa më të mëdha për të lehtësuar shpenzimet e qytetarëve.

“Rama është mësuar të bëjë propagandën, ndërton një bord, pretendon ulje akcize, pretendon kontroll tregu dhe në fakt nuk bën asgjë nga këto. Vëmendja e tij, normal, është tek pozicioni i tij, është tek vështirësia që ai ka në raport me drejtësinë dhe patjetër që kërkon njëkohësisht edhe me iniciativa gjoja ligjore të largojë vëmendjen, qoftë nga kriza ekonomike që ka trokitur tashmë në Shqipëri, shfaqur në shumë dimensione, qoftë edhe nga kriza korruptive, ta themi si një term i ri, në të cilin gjendet ai vetë dhe nga e cila qartazi duket që nuk do ketë shpëtim, thjesht zgjat kohën e tij derisa dhe ai të paraqitet vetë sikurse Balluku dhe të tjerët para dyerve të SPAK-ut për të gjitha ato afera korruptive ku dora e tij është dora kryesore dhe ku ai është i zhytur kokë e këmbë.

Unë besoj këtu që ka një pranueshmëri të spekulimit në tregun e karburanteve. Përderisa dhe vetë kryeministri e shpreh që evazioni qenka i jashtëzakonshëm, u desh kjo ditë që ky ta deklarojë, që nuk e paska ditur deri më tani. Ndërsa masat e tij janë fare të thjeshta, fare të zakonshme, ndërkohë që do duhej një ndërhyrje e jashtëzakonshme”, u shpreh Boçi.

Të fundit