Flash News

Ditari i Opozitës

Denoncimi i deputetes: Bashkia Lezhë grabit aneksin e stadiumit “Besëlidhja”, do prishet për interesa klienteliste

Denoncimi i deputetes: Bashkia Lezhë grabit aneksin e stadiumit

Deputetja demokrate, Lindita Metaliaj ka denoncuar “grabitjen” e fushën e vetme stërvitore në qytetin e Lezhës, e quajtur ndryshe aneksi i stadiumit “Besëlidhja”.

Duke e konsideruar këtë vendim arbitrar, deputetja thotë se kjo pronë po merret nga Bashkia Lezhë pa iu dhënë dëmshpërblim pronarëve.

“Bashkia Lezhë ka vendosur, pa transparencë dhe pa konsultim me qytetarët, të prishë fushën e vetme stërvitore në qytetin e Lezhës, e quajtur ndryshe aneksi i stadiumit “Besëlidhja”. Vendime arbitrare, të padrejta, nga një kryebashkiak që nuk ka asnjë lidhje me Lezhën, asnjë keqardhje për historinë, për futbollin dhe brezat ndër vite të stërvitura në këtë fushë.

Këto vendime arbitrare janë bërë gjithashtu pa marrë parasysh faktin se, me vendim të Komisionit për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, pasuritë mbi të cilat do të zhvillojë projektet Bashkia Lezhë, u janë kthyer trashëgimtarëve ligjore të të ndjerit Cen Osmani. Këta pronarë, të cilëve përdhunshëm dhe padrejtësisht iu grabit prona në kohë të Partisë Komuniste, po grabiten për së dyti nga Bashkia Lezhë e Partisë Socialiste”, deklaroi Metaliaj.

Kjo e fundit nënvizon se e drejta e pronësisë mbrohet me ligj, ndërsa akuzon sistemin gjyqësor që është i kapur nga qeveria.

“Kushtetuta dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut garantojnë të drejtën e pronësisë dhe theksojnë se shpronësimi nuk mund të kryhet përveçse përkundrejt një shpërblimi të drejtë. E vërteta është se këtyre pronarëve po iu merren pronat pa asnjë njoftim, pa transparencë, pa konsultim, pa shpronësim e pa shpërblim.

Fatkeqësisht, edhe sistemi gjyqësor, i kapur nga Rama, nuk arrin të garantojë të drejtat kushtetuese të qytetarëve, por sillet si shtojcë e pushtetit ekzekutiv. Sipas saj, trupa gjykuese ka pranuar presionin nga pushteti.

Pronarët e kanë ankimuar në gjykatë vendimin e Bashkisë Lezhe, duke kërkuar pezullimin e punimeve, por trupa gjykuese u ka thënë në konfidencë “ju keni të drejtë, por i kemi duart e lidhura”. Me Pjerinin pa lidhje me Lezhën dhe Ulsiun pa lidhje me drejtësinë, kuptohet se çfarë drejtësie mund të marrin pronarët e ligjshëm dhe qyteti”, deklaroi ndër të tjera deputetja.

 

Të fundit