Flash News

Ditari i Opozitës

Denoncimi i PD: Bashkia e Vaut të Dejës u heq ndihmën ekonomike nevojtarëve dhe ua kalon militantëve

Denoncimi i PD: Bashkia e Vaut të Dejës u heq ndihmën ekonomike

Partia Demokratike ka bërë një tjetër denoncim që lidhet me Bashkinë e Vaut të Dejës. Zëdhënësja Floriana Garo deklaroi nga selia blu se bashkia u ka hequr ndihmën ekonomike qytetarëve dhe ua ka kaluar militantëve socialistë. Më tej theksoi se kjo po bëhet vetëm pak muaj para zgjedhjeve për të grumbulluar vota.

“Administratorët e Ndihmës Ekonomike të Bashkisë Vau Dejës, në një rast të paprecedent, kanë nisur largimin e familjeve në nevojë nga skema ekonomike, duke i zëvendësuar me militantë të Partisë Socialiste.

Ky abuzim bëhet edhe më i rëndë nga fakti, se ndihma ekonomike u hiqet nevojtarëve për tu kaluar militantëve të Rilindjes, kalon nga duart e shtrira të të varfërve te duart e gjata të patronazhistëve.

Persona antinjerëzorë e antishqiptarë disa prej te cilëve prej vitesh jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Ky shpërblim u bëhet nga partia sepse janë pjesë e grupeve të manipulimit të votës, mercenarë që po përgatisin skemat e vjedhjes së zgjedhjeve më 14 Maj”, tha Garo.

Kjo e fundit nënvizoi se kjo skemë është këmbanë alarmi për drejtësinë, që sipas Garos, duhet të reagojë dhe të ndëshkojë përgjegjësit.

“Kjo skemë është një kambanë alarmi për institucionet e drejtësisë, të cilët duhet të dënojnë personat përgjegjës të këtij abuzimi me ndihmën ekonomike për Bashkinë Vau Dejës, duke filluar nga drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social në Shkodër, të cilët duhet të kontrollojnë çdo familje që përfiton ndihmë ekonomike. Kjo është një skemë e paramenduar me qëllime të patronazhimit politik”, shtoi ajo.

 

 

Të fundit