Flash News

Ditari i Opozitës

Denoncimi i PD: Kjo është skema e abuzimeve me grantet e start up-eve. Miliona lekë për miqtë e ministres Bilali

Denoncimi i PD: Kjo është skema e abuzimeve me grantet e start up-eve.

Partia Demokratike ka denoncuar abuzimet me grantet e start up-eve. Deputetja Ina Zhupa deklaroi se ministrja e Sipërmarrjes, Edona Bilali ka dhënë miliona lekë të shtetit për njerëzit e saj të afërt.

Sipas Zhupës, ministrja iu ka dhënë dy grante me vlerë 88 milionë lekë, dy organizatave që janë pjesë e rrjetit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Ky i fundit ka qenë në qendër të debatit, pasi qeveria vendosi që të menaxhonte parkun e Butrintit. Demokratja ka treguar edhe si ka funksionuar kjo skemë.

“Edona Bilali dhe dy shefat e AADF, Mata e Sarapuli, nuk e kanë parë konfliktin e interesit në faktin se janë që të dy anëtarë të bordit të qendrës që përfiton grante dhe njëkohësisht kanë anëtarët e AADF ne komisionin qe i jep grantet. Ky konflikt i hapur interesi, që vetë i bëjnë organizatat dhe vetes ia japin paratë, ngjan si një darovitje tipike ballkanike.

Një pjesë e përgjigjes jepet nga përfshirja e dy krerëve të AADF në një skemë të pastër përfitimi pavarësisht konflikti të hapur të interesit.

Një rast tjetër i granteve për start upe është një emër tashmë i fort-lakuar në media për abuzime me fondet. Flladi Agolli, i biri i Dritan Agollit, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka përfituar 40 milionë lekë për Start-up-in e tij. Kohë më parë Dritan Agolli u denoncua për shpërblimin e të birit me 500 milionë lekë, duke e shpallur fitues për një libër gatimi, shefin e restorantit të tij.

Ministrja e sipërmarrjes në keqperdorim të parave nga arka e shtetit, ka darovitur edhe një familje tjetër, me sa duket të afërt me të dhe partinë. Altin dhe Arbi Bamllari, babë e bir, kanë marrë 50 milionë lekë për kompanitë e tyre “Skytech” dhe “3DSKY”.

Gjithashtu, Bilali ka dhënë një grant prej 50 milionë lekësh për Kamela Haskon, auditore që e mesa duket ka qenë bashkëpunëtore e Edonës kur kjo drejtonte një kompani konsulencash. Hasko së bashku me bashkëshortin menaxhojnë zyrën e auditit “AKH consulting” që është larg te qënurit inovative, rinore, apo teknologjike”, tha Zhupa.

 

Të fundit