Flash News

Ditari i Opozitës

Dje zhvillime maratonë, cilat do të jenë hapat e radhës të Berishës dhe Bashës

Dje zhvillime maratonë, cilat do të jenë hapat e radhës

Një ditë më parë në Partinë Demokratike, tashmë të ndarë në dy pjesë, pati zhvillime që zgjatën deri në orët e vona të mbrëmjes.

Kryedemokrati Lulzim Basha mblodhi Kuvendin, ku deklaroi se kishte 5004 delegatë, ndërsa ish-lideri Sali Berisha mbajti referendumin për shkarkimin e kreut të PD-së, ku bëri me dije se  43.385 demokratë votuan pro.

Zhvillimet maratonë përfunduan në selinë blu, ku Basha zhvilloi një mbledhje me Kryesinë, ndërsa Berisha bëri me dije rezultatet e votimit. Me tone të ashpëra ndaj njëri-tjetrit, Berisha dhe Basha kanë deklaruar se nuk i njohin vendimet e marra nga grupet përkatëse.

Emrat e delegatëve të Kuvendit të thirrur nga Basha nuk u bënë me dije gjatë punimeve, siç ndodhi në Kuvendin e 11 dhjetorit. Kryetari i komisionit që drejtoi punimet e Kuvendit, Jemin Gjana kërkoi që emrat të publikoheshin sot, por mbetet për t'u parë orët në vijin, nëse PD do të nxjerrë emrat e delegatëve.

Zhvillimet në kampin blu nuk kanë përfunduar me kaq, pasi ditën e nesërmë, kryedemokrati Lulzim Basha do të mbledhë sërish Këshillin Kombëtar. Mbledhja ishte parashikuar për ditën e sotme, por Kryesia mori vendimin për ta shtyrë.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar do të bëhet zëvendësimi i anëtarëve të Kryesisë të përjashtuar nga Basha, pasi mbështetën ish-liderin Berisha. Ndërsa ky i fundit ka thirrur një protestë kundër vizitës së Vuçiçit në Tiranë. Presidenti serb vjen nesër për një vizitë dy ditore në kuadër të nismës "Open Balkan".

Të fundit