Flash News

Ditari i Opozitës

“Edhe para se të lindnin”, Berisha denoncon 16 kërkesa hetimi dhe 35 falsifikime në “Dosjen Partizani”

“Edhe para se të lindnin”,  Berisha denoncon 16 kërkesa

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas daljes nga ambientet e këtij institucioni.

Në një deklaratë për mediat, Berisha denoncoi atë që e cilësoi si “skandal”, duke akuzuar prokurorin Altin Dumanin se ka firmosur 16 kërkesa për hetim ndaj tij dhe familjarëve të tij, përfshirë edhe mbesat.

Sipas Berishës, kërkesat janë dërguar në 16 institucione të ndryshme brenda një dite dhe përfshijnë hetim për një periudhë 30-vjeçare.

“Këtu keni një listë kërkesash të firmosura nga Altin Troplini për të gjitha, për 16 institucione, për të hetuar Sali Berishën dhe mbesat e tij, edhe katër vite para lindjes së tyre. Dërguar çdo institucioni, pa asnjë lidhje, vetëm në kërkim të zbatimit të urdhrit të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se, sipas tij, ka urdhëruar SPAK-un për ta hetuar dhe ndëshkuar.

 “Dosja Partizani”

Gjatë deklaratës, Berisha prezantoi edhe një publikim që lidhet me çështjen e njohur si “Dosja Partizani”.

“Meqë jemi këtu, keni një libër monumental të drejtësisë së falsifikuar dhe manipuluar. Një proces politik kundër liderit të opozitës dhe pronarëve legjitimë, në të cilin ju do gjeni 35 falsifikime të falsifikatorëve Dumani, Kraja dhe Millonai”, tha ai.

Berisha përmendi me emër edhe drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, si dhe ish-kreun e Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, duke i akuzuar për manipulim të procesit.

Sipas tij, në publikim janë të renditura “35 falsifikime”, të cilat, sipas pretendimeve të tij, përbëjnë shkelje të rënda në procesin e hetimit të dosjes “Partizani”.

“Në këtë publikim janë të rreshtuara me fakte të pakundërshtueshme 35 falsifikime, secili prej tyre përbën krim të rëndë në procesin e dosjes Partizani. Tani, meqenëse kjo është vetëm një dosje, do ua dërgojmë të gjithëve në formë dixhitale”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se kopjet fizike janë të kufizuara për shkak të kërkesës së lartë, por materiali do të shpërndahet në mënyrë elektronike.

 

Të fundit