Flash News

Ditari i Opozitës

Flakadanët dhe protesta: dritë kundër dhunës së pushtetit

Flakadanët dhe protesta: dritë kundër dhunës së

Nga Grigels Muçollari

Flakadanët nuk ishin simbol letrar, por një mesazh politik i qartë: qytetarët nuk pranojnë të qeverisen me frikë. Ata u ndezën si reagim ndaj një pushteti që përdor dhunën për të mbuluar dështimet, korrupsionin dhe mungesën e llogaridhënies.
Dhuna është instrument politik kur mungon legjitimiteti. Kur fjala kritike shtypet, kur protesta trajtohet si rrezik dhe jo si e drejtë kushtetuese, atëherë shteti pushon së shërbyeri qytetarëve dhe kthehet në aparat force. Kjo ndodh kur korrupsioni nuk është përjashtim, por sistem; kur familjet varfërohen, shtresa e mesme zhduket dhe të rinjtë largohen sepse nuk shohin perspektivë.
Flakadanët ndriçuan aty ku pushteti kërkonte heshtje: përballë dhunës ndaj protestuesve paqësorë, ndaj grave dhe të miturve; përballë një policie që nuk mbron rendin, por mbron pushtetin. Ky është deformim i rolit të shtetit dhe shkelje e hapur e të drejtave themelore.
Protesta në vetvete nuk ka si qëllim kaosin apo shkatërrimin. Ajo ka një kërkesë politike konkrete: dinjitet, drejtësi dhe llogaridhënie. Të gjitha lidhen me dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverinë teknike për të garantuar të drejtën për të jetuar nga puna, për të mos u varfëruar nga korrupsioni, për të protestuar pa u dhunuar dhe për të kërkuar drejtësi pa u ndëshkuar.
Mbrëmë u përballën dy modele: qytetarë që kërkojnë ndryshim dhe një sistem që mbijeton përmes frikës. Flakadanët e bënë këtë përplasje të dukshme. Dhuna nuk e zgjidh krizën politike. Ajo vetëm e thellon atë.
Dhuna është shenjë frike, jo force.
Një pushtet që qeveris me frikë, është po “frika” që do ta përndjekë atë deri në fund.
Për fatin e tij të mirë, tashmë fundi është shumë afër.

Të fundit