Flash News

Ditari i Opozitës

Instituti Parlamentar i Kuvendit dhe ‘ringjallja’ e Enver Hoxhës’, Këlliçi: Kriminale dhe e turpshme!

Instituti Parlamentar i Kuvendit dhe ‘ringjallja’ e Enver

Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka reaguar ndaj përfshirjes së ish diktatori Enver Hoxha, në listën e personaliteteve të muajit tetor nga Kuvendi i Shqipërisë.

Përmes një reagimi në Facebook, Këlliçi thotë se tendenca të tilla të manipulimit të historisë, tregojnë për një përpjekje djallëzore për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste.

Sipas deputetit të PD, aty ku kriminelet konsiderohen heronj të popullit dhe mendësia totalitare helmon mendjet e të rinjve, regjimi monist jo vetëm bëhet i pranueshëm por edhe i dëshirueshëm.

Statusi

Instituti Parlamentar i Kuvendit dhe “ringjallja” e Enver Hoxhës!

Skandaloze, kriminale dhe e turpshme futja e figurës së Enver Hoxhës në listën e personaliteteve të muajit tetor nga Kuvendi i Shqipërisë!

Diktatori që prodhoi një regjim terrori, shtetin më të izoluar, popullin më të varfër e të shtypur të Europës radhitet ndër figurat e nderuara të kombit, krahas Sulejman Delvinës, Migjenit, Naim Frashërit, Abdyl Frashërit dhe at Gjergj Fishtës.

Sikur ky të ishte thjesht gabimi i një burokrati apo patronazhisti të lodhur që kopjon nga Wikipedia, edhe mund të merrej lehtë kjo “shkarje” parlamentare dhe tallje me shqiptarët.

Mirëpo duke konsideruar mijëra të vrarët e të pushkatuarit, por mbi të gjitha mbi 5 mijë të viktimat e komunizmit, të cilëve nuk u gjendet as varri dhe eshtrat, mijëra të burgosur e familje të internuara dhe një popull të tërë të traumatizuar e të mbajtur të rrethuar me tela me gjemba, kjo është e patolerueshme në çdo aspekt.

Tendenca të tilla të manipulimit të historisë tregojnë për një përpjekje djallëzore për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste, ku kriminelet konsiderohen heronj të popullit dhe mendësia totalitare helmon mendjet e të rinjve, duke e bërë regjimin monist jo vetëm të pranueshëm por edhe të dëshirueshëm.

Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë e dënoj me forcë normalizimin e së keqes, duke konsideruar rezolutat e miratuara për dënimin e krimeve të komunizmit, orientimin demokratik të Republikës së Shqipërisë dhe qëndrimin pa asnjë dyshim kundër diktaturës si koncept dhe diktatorit më kriminel dhe gjakatar të historisë shqiptare.

Kuvendi i Shqipërisë duhet menjëherë të tërheqë këtë material dhe ti kërkojë ndjesë publike shoqërisë shqiptare dhe mijra familjeve të prekura nga krimet e Enver Hoxhës!

Të fundit