Flash News

Ditari i Opozitës

Shtyhet Konventa Kombëtare e LSI, Kryemadhi: Shkak Covid-19, nuk bëjmë politikë me pandeminë

Shtyhet Konventa Kombëtare e LSI, Kryemadhi: Shkak Covid-19, nuk
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi

Shtyhet Konventa Kombëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vendimin e ka bërë të ditur kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, teksa ishte parashikuar të mbahej në 5 dhjetor.

Shkak sipas Kryemadhit është situata e krijuar nga pandemia.

Në kushtet e përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës prej pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi covid -19 dhe efektet e mëdha negative të ndikimit të tij jo vetëm në jetën e gjithësecilit prej nesh, por  edhe në të gjithë jetën e vendit;

Në kohën kur do të duhej që e gjithë vëmendja dhe angazhimi shtetëror, kur qeveria dhe institucionet në varësi të saj, të kishin në fokusin e angazhimit dhe veprimtarisë së tyre mbrojtjen e jetës së çdo qytetari shqiptar dhe marrjen e masave lehtësuese në rrethanat e pamundësisë së ushtrimit të aktivitetit në kushte normale;

Përballë fakteve e dëshmive të shumta rrënqethëse, kur mosveprimi dhe përpjekja për të bërë fajtor qytetarin e thjeshtë e të pambrojtur është bërë vijësjellje e qeverisë;

Me përgjegjësinë dhe autoritetin që më jep statuti i partisë, si Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroj se kam vendosur të shtyj për në një kohë tjetër mbajtjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e parashikuar të mblidhej më datën 5 dhjetor 2020;

Vendimi për shtyrjen e mbajtjes së Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk e afekton veprimtarinë e përditshme të strukturave tona në të gjitha nivelet e në të gjithë vendin.

Trupa e delegatëve përfaqësues nga çdo bashki, si strukturë legjitime e zgjedhur me parimin “një anëtar - një votë” në zgjedhjet e 21 nëntorit, shndërrohet në shtabin elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim për bashkinë respektive, dhe do të vazhdojnë pa asnjë ndërprerje nën drejtimin e të deleguarve në çdo qark, përmbushjen e detyrave të parashikuara në kalendarin tonë politik dhe elektoral.

Të gjithë ne, por dhe e mbarë bota, po përballemi me një situatë të paprecedentë.

Prandaj, Lëvizja Socialiste për integrim, që prej kur u shfaq pandemia e në vijimësi, ka refuzuar të bëjë politikë me pandeminë.

Por ndërkaq, nuk do të lejojmë askënd që pandeminë ta përdorë për politike.

Vendimi im për të shtyrë mbledhjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është njëherësh edhe shenjë homazhi për ata që kanë humbur jetën prej pandemisë, është solidaritet më të gjithë qytetarët që po përballojnë me njëmijë e një sakrifica dhe pa mbështetjen e shtetit, kostot e mëdha të luftës për jetën dhe në emër të dashurisë për jetën”, tha Kryemadhi.

 

Të fundit