Flash News

Ditari i Opozitës

Kaso: Partia Demokratike është instrumenti i vetëm për përmbysjen e “neo-diktaturës”

Kaso: Partia Demokratike është instrumenti i vetëm për

Drejtuesi demokrat i qarkut të Korçës, Ivi Kaso deklaroi nga Korça se vendi ndodhet në një udhëkryq kritik.

Kaso tha se PD mbetet sot i vetmi instrument politik dhe shoqëror që mund të përmbysë gjendjen aktuale në vend, duke e krahasuar situatën me momentet historike të para 35 viteve.

Sipas tij, Shqipëria po përballet me një regjim të kalbëzuar nga krimi dhe korrupsioni, ndërsa heshtja, tha ai, do të ishte një tradhti ndaj misionit historik të opozitës.

“Ashtu si 35 vite më parë, Partia Demokratike është sot instrumenti i vetëm politik dhe shoqëror që mund ta përmbysë këtë gjendje. Ne nuk mund të rrimë duarkryq edhe të shohim, ndërkohë që vendi zhbëhet. Ne nuk mund të heshtim, ndërkohë që historia na thërret të përmbushim misionin tonë, atë të përmbysjes së neo-diktaturës. Ata që nuk arritën të na zhbëjnë, përkundrazi na bënë më të fortë. Dhe sot ne jemi gati të ofrojmë përsëri shqiptarëve rrugën drejt qytetarisë, drejt zhvillimit ekonomik dhe drejt Evropës së vlerave.

Ky regjim është në ditët e tij më të vështira. Krimi e ka kalbëzuar, korrupsioni e ka zhveshur nga çdo imunitet dhe ndërkombëtarët më në fund po e shohin mbretin lakuriq ashtu siç e shohin përditë të gjithë shqiptarët. Çdo ditë që kalon është një dhimbje shtesë për vendin, prandaj nuk ka më kohë për të humbur. Ne nuk mund të harxhojmë sot asnjë minutë me beteja të kota midis vetes. As me teatre që na serviren për të shpërqëndruar fokusin nga skandalet e jashtëzakonshme të qeverisjes e të banditëve të lidhur ngushtë me qeverisjen.

Ne nuk kemi luksin që të vazhdojmë të jemi akoma karremi i vëmendjes mediatike, duke shërbyer si alibi për të mbuluar çdo skandal të vërtetë. Secili prej nesh sot duhet të ndihet në mision, sepse kjo është beteja jonë e fundit, beteja për të rikthyer dinjitetin e qytetarëve, për të rikthyer shpresën e rinisë, për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e saj europiane. Dhe nga kjo betejë ne nuk kthehemi përveçse me fitore”, deklaroi Kaso.

Të fundit