Flash News

Ditari i Opozitës

Mbledhja e Ramës, Spahia: Zero investime për Shkodrën, të kishe zgjedhur resortin e Pëllumb Gjokës

Mbledhja e Ramës, Spahia: Zero investime për Shkodrën, të

Anëtari i Kryesisë së PD, Bardh Spahia ka komentuar mbledhjen e Ramës me kabinetin qeveritar dhe kryebashkiakët në Shkodër.

Me një postim në Facebook, Spahia shkruan se Rama organizoi një mbledhje hajdute në Shkodrën që deri tani nuk ka përfituar asnjë investim. Spahia thekson se në këtë mbledhje mungonte krimi dhe shtabi elektoral që i dhanë Benet Becit votat e fitores në Shkodër.

Ai shkruan se në buxhetin e vitit 2024 nuk ka asnjë fond për investime në Shkodër.

Reagimi:

Mirë që bën mbledhjen e qeverisë tënde hajdute në Shkodrën të cilën ti vazhdon dhe e persekuton, por Shkodra akoma nuk ka përfituar asnjë investim. Në mbledhjen e sotme mungonte në dukje (sepse shefat i kishin aty), faktori kryesor që solli marrjen e Shkodrës nga rilindja, mungonte krimi ose shtabi elektoral i Becit. Ndërsa përsa i përket vendit që zgjodhe, më i përshtatshëm do ishte ndonjë resort i miqve të tu investitorë strategjik si Pëllumb Gjoka, sepse këta janë aleatët e tu të vërtetë e jo populli i Shkodrës.

Përtej premtimeve në fushatën e 14 majit 2023 dhe kërcënimit të turpshëm publik që "nëse nuk votoni rilindjen keni zero fonde", në realitet në projektligjin për buxhetin e vitit 2024 nuk ka asnjë lekë për investime në Shkodër.

Asnjë fond apo fjalë për aksin tejet të rënduar Tiranë - Shkodër, as për segmentin Milot - Balldren, as për segmentin Muriqan - Lezhë.

Ndërsa ndryshimet në paketën fiskale të Bashkisë Shkodër janë një barrë e rëndë për bashkqytetarët shkodranë.

Dyfishim dhe rritje në maksimum i taksës së ndërtimit në infrastrukturë nga 4% në 8%.

Tarifat për lejet e zhvillimit dhe ndërtimit rriten deri në 10 fish.

Rritje deri në pothuajse dyfish të tarifës për shfrytëzim të hapësirës publike.

Shumëfishim i tarifës për shfrytëzim të hapësirës për tregjet e fruta perimeve nga 5 000 deri në 16.000 Lekë në muaj.

Këto janë fakte dhe shifra që shkodranët i vuajnë në kurriz, kjo është arsyeja pse Shkodra gjendet sot në vend të parë për numrin e personave të larguar.

Varfëria në Shkodër është ulur këmbëkryq, ky është realiteti. Të tjerat janë shfaqje bajate e fasadë e cila tashmë ka rënë pasi mbarë Shqipëria edhe ndërkombëtarët e panë se si e vodhe dhe dhunove Shkodrën.

Të fundit