Flash News

Ditari i Opozitës

Gara në PD/ Nga ndryshimi i statutit te ‘kryetari bëhet kryeministër ose dorëhiqet’, ku ndryshojnë platformat e kandidatëve

Gara në PD/ Nga ndryshimi i statutit te ‘kryetari bëhet

Gara për kreun e Partisë Demokratike në opozitë ka filluar të marrë zë.

Kandidatët për drejtimin e PD Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj po shpalosin platformat e tyre të reformimit të partisë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, ndërsa kryetari aktual Lulzim Basha ka nisur prej ditësh turin e takimeve me strukturat e PD.

Po ku ndryshojnë platformat e secilit prej kandidatëve në garë për drejtimin e PD?

Fatbardh Kadilli

Fatbardh Kadilli, një nga katër kandidatët për kryetar të PD, prezantoi masat që ai synon të ndërmarrë për të drejtuar grupimin më të madh opozitar.

Jam deklaruar që në fillim për një PD të pastër, të hapur dhe fituese, për një parti më të madhe se kryetari. Duhet bërë ndarja e rolit të kryetarit nga administrator i partisë,” u shpreh Kadilli.

Ai shtoi se administrimi i partisë duhet të bëhet nga një Këshill të Urtësh me një mandat 6-vjeçar, që e kapërcen atë të kryetarit dhe që ka detyra të thjeshta për anëtarësimin, forumet dhe të sigurojë zgjedhjet kur janë të nevojshme.

Kryetari është udhëheqësi politik i partisë për 4 vjet. Mandati i tij mbaron në ditën që shpallet rezultati i zgjedhjeve dhe ai ose bëhet kryeministër ose ikën,” deklaroi kandidati për kryetar të PD.

Ndërsa tha se koha në dispozicion për të bindur demokratët që të votonin kandidatët në garë ishte e shkurtër, më pak se tre javë, Kadilli u shpreh optimist se do të merrte mbështetje për planin e tij.

“Detyra e PD është largimi nga pushteti i Ramës dhe i modelit të tij qeverisës, ku politika, media, biznesi dhe bota e nëndheshme janë shndërruar në një pushtet abuzues mbi qytetarin. Unë ndryshoj PD, që të ndryshoj Shqipërinë,” u shpreh Fatbardh Kadilli.

Ai tha se do ta ngrinte Partinë Demokratike mbi tre kolona, atë të lidhjes me qytetarin, besueshmërisë si partnere dhe riorganizimit për të krijuar hapësirë për çdo individ politik.

Si pika të tjera të platformës së tij, Kadilli prezantoi:

Parimi një anëtar, një votë për zgjedhjet e çdo kryetari në të gjitha degët e partisë dhe në çdo përfaqësi partiake, që duhet të bëhet të paktën 1 vit më parë nga afatet zgjedhore.

Çdo ZAZ do të ketë kryetarin që zgjidhet me 1 anëtar një votë, që ose është deputet i ardhshëm ose në rast se nuk fiton është përfaqësues i popullit për atë zonë.

Forume horizontale veç atyre vertikale, seksionet të mos jenë vetëm territoriale por edhe mbi bazash grupesh interesi.

Legjitimimi i fraksioneve, çdo anëtar mund të krijojë “partinë e vet”, forumin tënd. Jo më një forum rinor i plakur që shërben si dekor aktivitetesh partie dhe që qëndron në paradhomën e partisë. Një forum i epokës dixhitale ku të gjithë kontribuojnë me nismën e vet.

Rishikimi i ndarjes administrative sipas zërit të qytetarëve dhe modeleve pavarësisht axhendave politike.

Rishikim i Kodit Zgjedhor për të garantuar përfaqësim të elektoratit dhe stabilitet të qeverisjes.

Plotësim të organeve të drejtësisë për një drejtësi efiçente.

Forcimi i demokracisë direkte përmes referendumit.

Rishikimi i Kushtetutës për balancë mes institucioneve qeverisëse dhe presidentit.

Edith Harxhi

Kandidatja për drejtimin e PD, Edith Harxhi e ka bazuar platformën e saj në reformimin e partisë dhe rikthimin e saj në idealet e '90.

Ajo ka evidentuar disa pika, të cilat i sheh të nevojshme për t'u realizuar menjëherë si rikthimi i partisë tek anëtarët, kthimi i debatit dhe konkurrencës, dhënies fund të emërimeve nga Kryetari apo Kryesia, decentralizimi dhe pranimi e trajnimi i të rinjve në parti.

Harxhi zotohet se do të krijojë një parti ideologjikisht të fortë, antikomuniste, euroatlantike dhe meritokratike. Për realizmin e kësaj ajo ka evidentuar disa shtylla në të cilat do të bazohet.

· liria e individit

· antikomunizmi dhe dëmshpërblimi i të persekutuarëve dhe pronarëve të ligjshëm

· çështja kombëtare dhe interesi kombëtar

· lufta kundër korrupsionit dhe fundi i tenderëve të përcaktuar

· listat plotësisht të hapura për zgjedhjet e përgjithshme dhe këshilltarë vendorë

· rinia shqiptare dhe punësimi i tyre

· prodhimi bujqësor dhe industrial, si dhe mbrojtja e prodhimit shqiptar përballë importit

· ngritja e turizmit, bujqësisë dhe energjetikës mbi baza të një konsensusi kombëtar dhe jo vetëm mbi nivele tarifore.

Programi bazohet në ndryshime statutore, organizative dhe ideologjike

Agron Shehaj

Agron Shehaj, kandidati për kreun e PD se ka publikuar planin e tij me katër pika për reforminin e kësaj force politike. Shehaj thotë se një kryetar partie duhet të ketë një mundësi për të marrë drejtimin e qeverisë, ose nëse humbet të dorëhiqet.

Ndër të tjera, kandidati për kreun e PD thekson se partia nuk do të pranojë financime nga sipërmarrës të mëdhenj, përfitues të fondeve publike.

“Partia Demokratike ka nevojë për reforma të thella. Ajo duhet të bëhet më e lirë, më meritokratike dhe më transparente ndaj publikut. Kështu do shpërblehen ata që e çojnë në fitore, kështu do mund të afrohen anëtarë të rinj dhe të aftë. Platforma që propozoj përmban këto 4 pika; Pika 1 Propozoj se në Statut të sanksionohet se kryetari i Partisë Demokratike duhet të ketë vetëm një mundësi për të ardhur në pushtet dhe të japë dorëheqjen kur humbet zgjedhjet parlamentare duke mos kandiduar më, pa asnjë justifikim, pa asnjë përjashtim.

Pika 2 Propozoj qe në Statutin e Partisë Demokratike të sanksionohet parimi i zgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga anëtarësia me parimin “një anëtar, një votë”.

Pika 3 Sistem elektronik për shprehje mendimesh dhe votime nga anëtarësia.

Pika 4PD nuk do të pranojë financime nga sipërmarrës të mëdhenj, përfitues të fondeve publike, të përfolur në afera publike”,- shkroi në një postim Shehaj.

Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prej ditësh ka nisur turin e takimeve me strukturat e partisë në qytete të ndryshme të vendit, por nuk ka prezantuar platformë. 

Ndër të tjera, Basha ka deklaruar gjate takimeve se PD ofroi vizion dhe qëndresë, ndërsa hodhi sërish akuza për tjetërsim të vullnetit të qytetarëve.

Kryedemokrati thotë se cenimi i votës ka sjellë revoltë dhe zemërim në radhët e demokratëve. Ai shtoi se do ta vazhdojë betejën, që sipas tij synon rikthimin e demokracisë.

Basha u shpreh se aktualisht janë në fazën, ku diktohet nga statuti i partisë, por kjo sipas tij, nuk do të ndikojë në analizën e zgjedhjeve të 25 prillit.

Gjatë takimit në Korçë, Basha tha se "gara brenda partisë, është një moment i mirëpritur dhe që i fakton mbarë opinionit publik të kundërtën e asaj që thuhet që ne jemi një parti e hapur e bazuar në vlera, që ne jemi një parti e garës, jemi pra një parti e qytetarisë, një parti europiane.". Ai shtoi më tej se shumë prej kandidatëve janë produkt i hapjes.

Kryedemokrati tha se zgjedhjet e 13 Qershorit "do t'i tregojnë gjithë Shqipërisë se ne jemi dhe mbetemi garancia për ta çuar betejën dhe aspiratën e tyre për ndryshim deri në fund."

Zgjedhjet në PD do të mbahen në 13 qershor.

Të fundit