Flash News

Ditari i Opozitës

Ngjarjet e njëpasnjëshme kriminale, Lela: Në çdo vend normal do kishte dorëheqje

Ngjarjet e njëpasnjëshme kriminale, Lela: Në çdo vend

Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela komentoi situatën e krijuar në vend pas vrasjeve që kanë ndodhur në ditët e fundit.

Duke folur në Syri tv, Lela evidentoi faktin tronditës të tre vrasjeve brenda pesë ditësh, një situatë që e cilësoi si një tragjedi shoqërore për një vend të vogël si Shqipëria. Lela theksoi se qeveria ka dështuar të reflektojë dhe të marrë përgjegjësi, ndërsa masat e propozuara nga kryeministri u cilësuan qesharake.

Sipas Lelës, reagimi cinik i Ministrisë së Arsimit ndaj protestave publike për këtë çështje e thellon më tej krizën e përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit.

'Tre të vrarë, tre të vdekur: një 14-vjeçar, një 28-vjeçar dhe një 52-vjeçar. Brenda harkut të 5 ditëve janë shumë edhe për një vend 50-milionësh, e lëre më për një vend 2-milionësh si Shqipëria e sotme.

Jemi në kufijtë e një tragjedie shoqërore, dhe të gjithë – përjashto qeverinë, ministrat apo ata përreth qeverisë me interesa okulte ose jo – po e trajtojnë si të tillë.

Tragjedia sa vjen e thellohet kur qeveria nuk ka pasur dhe nuk ka bërë ende as më të voglin reflektim. I vetmi “reflektim” ka qenë deklarata qesharake e kryeministrit se, për të parandaluar krimin në shkolla – duke iu referuar vrasjes së Marini Çanit – do të ndalohet Snapchat-i dhe TikTok-u.

Pra, deri këtu arrin ndërgjegjësimi. Në çdo vend tjetër normal të rajonit, Europës apo më gjerë, tre vrasje – dhe sidomos ajo e një 14-vjeçari në ambientet e një shkolle – do të kishin shkaktuar tronditje, në mos marrje përgjegjësish, në mos një falje publike, në mos një shkarkim apo dorëheqje.

Në Shqipërinë e Edi Ramës, në qeverinë e Edi Ramës, asnjëra prej tyre nuk ka ndodhur. Madje, edhe manifestimi i shoqërisë civile, i organizuar sot para Ministrisë së Arsimit për të kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, është përballur me një sjellje cinike. Nuk e di nëse keni parë një video që po qarkullon, por shenja kryesore e “reagimit” dhe ndërgjegjësimit të ministres dhe kabinetit të saj ishte një zyrtare e Ministrisë që dilte në dritaren e institucionit dhe bënte me shenjë protestuesve të mbyllnin protestën, të largoheshin dhe të mos kërkonin dorëheqjen e shefes së saj.'- u shpreh Lela.

Të fundit