Flash News

Ditari i Opozitës

"Oerd ke ti ofertë për çështjen e vetingut?"/ Debat mes Bashës, Bylykbashit dhe Nokës në mbledhjen e Kryesisë

"Oerd ke ti ofertë për çështjen e vetingut?"/

Mbledhja e djeshme e Kryesisë së PD, e cila nisi në orën 19.00 dhe zgjati rreth dy orë është shoqëruar me debate mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe deputetëve Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi.

Ky i fundit dy ditë më parë hodhi akuza për pazare midis Bashës dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas deputetit, Rama i kërkon PD që të dalë pro zgjatjes së afatit për anëtarët e vetingut dhe në këmbim sipas tij të marrë disa bashki.

Në media është zbardhur debati i zhvilluar në selinë blu, ku Basha i drejtohet Bylykbashit, duke e pyetur nëse ka marrë ndonjë ofertë nga socialistët për çështjen e vetingut.

Ky i fundit i ka kërkuar Bashës të tërhiqet nga kjo sjellje, duke shtuar se postimi i tij ka qenë për Ramën dhe atë çka ai i ofron PD. Kryedemokrati ka insistuar, duke e pyetur Bylykbashin, nëse dikush në PD ka marrë propozimin "me jep vetingun, të të jap reformën territoriale".

Deputeti i ka thënë bashës se ky është një pazar i ofruar publikisht, duke theksuar se nëse pranohet është thikë pas shpinë për demokratët. Më pas ka ndërhyrë Noka, i cili i ka thënë Bashës se duhet të largohej pas humbjes në zgjedhje dhe e ka pyetur se çfarë reforme ka prioritet. Ky i fundit i është përgjigjur se prioritet ka vetëm largimin e Ramës.

Debati në Kryesi

Lulzim Basha: Oerd ke ti ofertë për çështjen e vetingut?

Oerd Bylykbashi: Ato lloj insinuatash tërhiqi kryetar. Unë po përsërisja një qëndrim që ta kam thënë në grup parlamentar, para dy javësh. Unë e kisha për Ramën atë postim. Qëndrimi im është në parim.  Duhet të ishte këtu kryetari i grupit i ngarkuar për vetingun i cili më ka kontaktuar mua ditën e enjte dhe i kam thënë kujdes se nuk është interesi ynë.

Rama e di shumë mirë çfarë do, se e thotë në publik. Unë kam thënë Rama ofron pazar, nuk kam thënë që ka marrëveshje PD. Unë ta kam thënë në grup, ne na duhet sistemi zgjedhor, reforma zgjedhore, reforma territoriale dhe pastaj vetingu. Unë e kam thënë publikisht, ne na duhet një strategji për të gjitha reformat. Bateritë e partisë u turren ndaj meje, është një reagim i ulët nga partia Demokratike ndaj meje.

Lulzim Basha: A di ti Oerd nëse dikush në parti ka marrë një propozim; më jep vetingun të të jap reformën territoriale?

Oerd Bylykbashi: Nëse ndodh kryetar, është një thikë pas shpine për demokratët. Është pazar i ofruar publikisht.

Flamur Noka: Po t’i referohemi demokracisë gjermane, dha dorëheqjen ai në Gjermani. Po ti referohemi demokracisë gjermane, ti duhet të kishe dhënë dorëheqjen dhe të kishe ikur.

Lulzim Basha: Dëgjoj akuza ordinere që po i bëj presione bazës. Qeverisja 8 vjeçare e PD ka pasur pjesën e vet të mirë dhe ka pasur edhe llumin.

Flamur Noka: Na thuaj cilin ke prioritet, sistemin, reformën zgjedhore apo territoriale?

Lulzim Basha: Prioriteti im është vetëm një; Largimi një orë e më parë i qeverisë Rama. Unë u kam ngarkuar detyra lidershipit të partisë për secilën reformë.

Oerd Bylykbashi: Aq sa kam thënë, nuk ndryshon. Po të them këtë gjë, po e pranove do dëmtosh demokratët. Nëse për vetingun merr sistemin zgjedhor, mua më ke nga pas.

Lulzim Basha: Refuzoni çdo ide se na qenka ofruar pazar i ndarjes territoriale për vetingun se është një dëm që i bëhet demokratëve.

Oerd Bylykbashi: Po ndodhi kjo dëmtohen demokratët. Qëllimi im është që të frenoj Edi Ramën, që mos të vazhdojë këtë histori.

Të fundit